Zgjedhjet, Shqipëria në lupën e botës –Këtë fundjavë, Shqipëria do të jetë në qendrën e vëmendjes së agjencive botërore të informacionit. Disa prej tyre si, Associated Press, Agence France-Presse (AFP), BBC, USA Today, Euractiv etj. që sot agjencitë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Ndryshe nga herët e tjera, titujt nuk paraqesin incidente apo ngjarje të rënda. Fushata cilësohet e qetë. Associated Press raporton se, zgjedhjet e 23 qershorit janë test për vendin e Ballkanit që ka një histori fushatash me probleme.
“Muaji i fushatës elektorale ka qenë relativisht i qetë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, të cilat janë shoqëruar shpesh me dhunë. Por gjithtësesi ka pasur raporte se, ndaj punonjësve të administratës dhe nxënësve të shkollave është ushtruar presion për të marrë pjesë në mitingjet e qeverisë”, raporton AP.
AFP: “Brussel is watching you”
Shqipëria, deri tani ka dështuar të mbajë zgjedhje të lira që prej rënies së komunizmit, dy dekada më parë dhe tani po kërkon dëshpërimisht të provojë se, është në gjendje të organizojë zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare, raporton AFP.
“Por para mbajtjes së zgjedhjeve, ka akuza për blerje të votave dhe parregullsi në listën e votuesve që po përhapin frikën e përsëritjes së zgjedhjeve të vitit 2009, që çuan në krizë politike”.
“Brukseli do të vëzhgojë çdo gjë nga afër”, thotë Etore Sekui, ambasadori i BE-së për AFP-në. Rreth 3 mijë vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet dhe rezultati i parë, jozyrtar, pritet të mos dalë para të hënës.
EurActiv: Luftë si në filmat e Tarantinos
Agjencia e lajmeve për BE-në, EurActiv e vë theksin tek “beteja e jetës” për Sali Berishën dhe rreziku për dështimin e zgjedhjeve.
“Ka shqetësime të mëdha që sërish vendi do të dështojë në mbajtjen e zgjedhjeve të lira”, raporton EurActiv duke sjellë parasysh mosmarrëveshjet në KQZ.
“Diplomatët ndërkombëtarë i krahasojnë zgjedhjet e vendit bregdetar si filmat e Quentin Tarantino, ku një tufë njerëzish qëllojnë me armë në drejtim të njëri-tjetrit.”
“Sikur vetëm gjysma e atyre që dëgjojmë të jetë e vërtetë, kjo do të thotë se ka një fushatë të egër për të detyruar njerëzit që të votojnë në një mënyrë të caktuar”, thotë një diplomat në kushte anonimiteti për EurActiv. “Kjo është, shqetësuese.”
Sondazhet janë të pabesueshme por për ish-kardiologun që ka dominuar jetën politike në Shqipëri që prej rrëzimit të regjimit Stalinist në 1991, këto zgjedhje mund të jenë fundi i karrierës së tij politike.
USA Today: Kombi që i nënshtrohet me adhurim SHBA-ve
Në një koment të publikuar në gazetën amerikane “USA Today” nga David A. Andelman, thuhet se, Shqipëria po kopjon SHBA-të sa i takon organizimit të fushatës. Andelman shprehet se në zgjedhjet e 23 qershorit po luftojnë kompania “Podesta”, arkitekte e dy fushatave të suksesshme për Bill Klinton dhe nga ana tjetër grupi që çoi në fitore ish-kryeministrin e Britanisë, Toni Bler.
Podesta është grupi lobues që punon për qeverinë ndërsa opozita premton se nëse fiton zgjedhjet do të marrë si këshilltar Blerin ndërsa ish-këshilltari i tij Alastair Campbell po jep këshilla për fushatën e PS-së.
“Është suprizuese që Shqipëria kërkon të imitojë SHBA-të në zgjedhjet e saj kombëtare dhe vendin e saj në botë. Që prej krijimit të këtij vendin ga Presidenti Uillson, në fund të Luftës së Parë Botërore dhe sidomos pas gjysmëshekulli komunizëm, shqiptarët kanë kërkuar lavdi pas Amerikës dhe përfaqësuesve të SHBA-ve. Bashkë me Kroacinë u bë vendi i fundit evropian që hyn në NATO dhe më pas nga ushtria e saj e vogël dërgoi 221 trupa në misionet në Irak dhe Afganistan.”
Andelman sjell dhe shembullin e kërkesës së Shqipërisë për të pranuar muxhahedinët. “Plus kësaj, i gjithë kombi është i nënshtruar me adhurim ndaj SHBA-ve, gjë e cila ka bërë që Uashingtoni ta shohë veten të lirë për të hedhë rremat në mënyrë të paturpshme sa herë bëhen zgjedhje.
21.06.2013
Burimi: Shekulli