KORCE – Ylli Ziçishti, mjeku i nderuar dhe Shefi i urgjencës kirurgjikale në QSUT është konfirmuar deputet në radhët e Partisë Socialiste në Korçë. Ai mundi të “rrëmbejë” fitoren historike në Devoll. Pas dhjetë vitesh kur e majta qëndronte në hije në këtë rreth, një bastion i njohur i së djathtës, Ziçishti ka ‘sfiduar’ edhe ministrin e Financave, Ridvan Bode, i cili prej vitesh ka dalë deputet në këtë zonë duke ‘korrur’ sukses. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Ylli Ziçishti me qetësinë që e karakterizon, tregon fushatën e vështirë me kundërshtarin si dhe emocionet e fitores.
Z. Ziçishti, e majta ka fituar tashmë pas dhjetë vitesh Devollin, i konsideruar si një bastion i fortë i së djathtës. Pse mendoni se ka ndodhur kjo?
Është hera e parë që unë marr pjesë në një fushatë elektorale. Ne e vlerësuam situatën në rrethin e Devollit dhe ky vlerësim fillimisht u përqendrua brenda Partisë Socialiste të rrethit Devoll. Këtu Partia Socialiste kishte probleme me veten, kur ajo u rregullua nga disa probleme të rëndësishme që haseshin aty, ne krijuam fushatën në terren. Puna ishte intensive, duke ‘kapur’ pikat e dobëta të kundërshtarit, i cili e kishte përqendruar fushatën në çetat e doganierëve.
Në rrethin e Devollit për vite me radhë ka kandiduar edhe ministri i Financave, z.Ridvan Bode, ku për hir të së vërtetës ka pasur edhe investime. Keni pasur frikë nga kjo përballje?
E vlerësova kundërshtarin. Ne kishim frikë për finalen, sikundër kishin frikë edhe ata. Në këto raste shikohen avantazhet dhe të metat e kundërshtarit. Në rastin konkret, Bode këtu zotëronte katër komuna dhe 1 bashki, ne asnjë. Arma e fuqishme e tyre ishte paraja, e cila u përdor pa kursim në Devoll. U hodhën shuma të mëdha parash për të blerë votën e qytetarëve, sa nuk mund ta merrni dot me mend. Vetëm një prej doganierëve ka dhënë 250 milionë lekë. Ne në fushatë nuk pamë përfaqësues të Partisë Demokratike, por vetëm doganierët e Bodes, të cilët mbulonin njerëzit me lekë. Sa u takon të metave, ishin 8 vjet në pushtet dhe nuk kishin bërë asnjë gjë për Devollin, me përjashtim të disa rrugëve që i sjell dhe koha. Ne i shfrytëzuam në maksimum të metat e tyre dhe jam i lumtur që jam këtu ku jam sot. Sigurisht, nuk mund të fsheh edhe emocionet e fitores.
Kthehemi pak pas në kohë, pikërisht në kohën kur z.Rama ju bëri ftesën për të kandiduar në siglën e Partisë Socialiste. E keni pranuar në kohë apo jeni menduar gjatë?
Unë do e balancoja ftesën. Sigurisht që jam menduar gjatë. Për një njeri që ka shërbyer gjithë jetën e tij në kirurgji nuk është e paktë një situatë e tillë. Pastaj nuk isha një njeri politik. Kështu nuk e pranova menjëherë ftesën, por më pas vendosa dhe thashë ‘Po’. Doja të vija në vend prestigjin e familjes sime. Familja ime ka qënë patriote që ka luftuar edhe me armë në atë kohë. Më pas u internua, siç edhe ndodhte atëherë, ndaj dhe unë vendosa që të kthej në vend prestigjin e saj. Kemi pasur edhe diskutime në familje, të cilët nuk kanë dashur që unë t’i hyj politikës, duke menduar se jam mirë këtu ku jam, tek mjekësia, por pasi e kemi menduar dhe diskutuar gjatë, edhe për arsyet e tjera më lart, vendosa ta pranoj ftesën.
Ju jeni një prurje e re në politikë, por edhe një mjek i njohur dhe i nderuar në Shqipëri, sa ju ka ndihmuar kjo e fundit?
Jashtëzakonisht shumë. Kam luftuar me “vdekjen”, siç bën çdo ditë një kirurg. Ndaj edhe këtë betejën e politikës e kam quajtur betejën e jetës. Profesioni i kirurgut është një profesion i vështirë dhe natyrisht më ka kalitur mirë. Gjatë fushatës unë kam bërë edhe vizita tek banorët, pasi në makinë mbaja gjithmonë stetoskopin, aparatin e tensionit, në fund të fundit ato janë edhe armët e mia. Njerëzit kanë nevojë për shërbim në shëndetësi, pasi ky sektor ka mbetur pas, sikundër ka ndodhur edhe me shumë të tjerë. Pavarësisht kësaj, kurrë nuk më ka ndodhur që edhe pse i kam bërë vizitë një banori, t’i kërkoj atij votën. Nuk e kam përmendur kurrë votën dhe mendoj se kjo ia vlejti.
Kujt ia dedikoni fitoren tuaj?
Fitoren time ia dedikoj popullit të Devollit, të cilët pavarësisht presioneve të tmerrshme me para etj., më dhanë votën. Ia dedikoj Ramës, që Devollin e pa më syrin e fitores. Ia dedikoj Niko Peleshit, që këtë fushatë ishte si një mësues për mua sa i takon politikës. Ia dedikoj kundërshtarit tim, që nuk bëri asgjë për Devollin. Ia dedikoj stafit tim, kolegëve, miqve dhe familjes që më qëndruan afër dhe më ndihmuan në rrugën e fitores.
14.07.2013
Burimi: Balkanweb