Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë Kosovën pa marrë diçka në këmbim.
Këto deklarata, presidenti i Serbisë i bëri gjatë një interviste me agjencinë italiane ANSA, me rastin e vizitës së ardhshme të kryeministrit italian Giuseppe Conte të mërkurën në Serbi.
“Para së gjithash ne kemi nevojë për të arritur një kompromis. Ne nuk mund ta njohim Kosovën, dhe të mos marrim asgjë në këmbim.
Ndryshe nga udhëheqësit e Kosovës që për ditë mashtrojnë qytetarët e tyre me premtime jorealiste se Prishtina do të marrë shumë, dhe Beogradi asgjë, detyra ime është që serbëve të ju shpjegoj rëndësinë e kompromisit (me Prishtinën), e cila nuk përfaqëson një humbje por një fitore. Fitore për të ardhmen e Serbisë”, ka thënë Vuçiç.
Vuçiç ka mohuar gjithashtu të ketë pasur një takim me Hashim Thaçin për të biseduar për çështjen e kompromisit. Ndërsa përsëriti se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën, nëse autoritetet e Kosovës nuk do të heqin taksën 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Elona Tereziu
05.03.2019