Vrasja e Erinaldës është një kazus jo statistikë aksidenti…
Një vajzë humbi jetën më mënyrën më tragjike të mundshme tre ditë më parë.
Ajo u shtyp brenda në makinë nga një masiv shkëmbi, një bllok gjigand mermeri që transportohej nga një kamion.
Erinalda Isufaj ishte vetëm 24 vjeç.
Shumëkush mund të thotë se ishte një aksident. Një nga ata që ndodhin rëndom nëpër të gjitha rrugët e vendit tonë, por edhe rrugëve të botës.
Ishte fati i keq dhe me fatin e keq nuk bën dot garë. Por rasti i Erinaldës nuk ishte edhe kaq fati i keq. As edhe faji i saj si në shumë raste, kur drejtues automjetesh përfundojnë në kanale nga shpejtësia apo përplasen me shtylla e bordura nga humbja e drejtimit të automjetit.
Ajo mbeti viktimë, sepse një bllok gjigand mermeri u shkëput nga kamioni që e transportonte.
Dhe, në këtë rast mund të bëhen disa pyetje, të cilat padyshim duhet t’i kenë bërë edhe hetuesit e ngjarjes:
Ishte siguruar mirë blloku i gurit në karrocerinë e kamionit?
Ishte pesha e lejuar në kamion?
A bëri manovra që nuk i lejohen drejtuesit të kamionit me një ngarkesë të tillë?
Në Shqipëri ndodhin çdo ditë aksidente tragjike. Por ky është një rast që duhet të shërbejë si kazus.
Duhet të shërbejë për të vendosur rregulla që shpesh as merren në konsideratë.
Kamionet e tonazheve të rënda duhet të kontrollohen për peshat që bartin.
Duhet të kontrollohet për kushtet e sigurisë.
Sepse kamionë të ngarkuar me skrape hekuri qarkullojnë e ku copa metali bien rrugës.
Çështja nuk është te ndëshkimi i një drejtuesi kamioni, por te marrja e masave. Shumica e aksidenteve në Shqipëri ndodhin shpesh në të njëjtat vende ose për të njëjtat arsye dhe sërish nuk merren masa për të korigjuar problemin.
Disa vite më parë u bë lajm në të gjitha mediat amerikane e më gjërë, tragjedia që ndodhi në një shtet perëndimor në SHBA. Një i moshuar, rreth 80 vjeç, u fut në një treg dhe në vend të frenave shkeli pedalin e gazit duke vrarë 14 persona. Ishte një aksident, padyshim. Burri u burgos. Por autoritetet e analizuan rastin dhe ndërhynë në ligj duke vendosur kufi për moshën e përdorimit të automjeteve, jo përtej 70 vjeç.
Logjika është shumë e thjeshtë.
Në qoftë se në një rrugë aksidenti ndodh për shkak të një grope, atëherë duhet mbushur gropa.
Nëse ndodhin për shkak të një kthese të fortë, duhet eliminuar kthesa. Nëse ndodhin për shkak të kushteteve të sigurisë, atëherë duhet të përmisohen kushtet. Ndaj aksidenti që i mori jetën Erilandës nuk duhet të futet thjesht në satistika si një më shumë, por duhet të shërbejë si kazus për të forcuar masat e kontrollit ndaj transportit të tonazhit të rëndë.
Për Lajm-Shqip
Mentor Kikia