Vrasja e biznesmenit- Një biznesmen ndërtimi ka rënë pre e një atentati me armë zjarri mbrëmjen vonë të së dielës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ali Visha” në kryeqytet, kur Ikmet Kotorri sapo ka dal nga zyrat e kompanisë së tij. Ai është qëlluar katër herë me pistoletë, duke mbetur i plagosur rëndë.
Kalimtarë të rastit janë përpjekur ti japin ndihmën e parë, por çdo përpjekje ka rezultuar e kot, pasi Kotorri ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka shoqëruar dhjetëra persona.
Sipas burimeve nga policia, një nga pistat e hetimit mund të jenë konfliktet e tij, por përfaqësues të kompanisë “Kotorri – SL sh.p.k.”, që drejtohej nga i ndjeri, thonë se ai s’ka pasur konflikte me askënd dhe kanë mbetur të befasuar nga lajmi. Pak kohë më parë i është vendosur eksploziv në makinë ortakut të viktimës.
Ngjarja:
Tiranë, atentat me armë zjarri biznesmenit të ndërtimit pranë shtëpisë së tij
Ora 22:30/e diel Një ngjarje e rëndë ndodhi gjatë orëve të vona të ditës së diel pranë rrugës ‘Ali Visha’ në Tiranë. Një person është qëlluar me armë zjarri pranë banesës së tij, në rrethana ende të paqarta.
Viktima është identifikuar nga policia si Ikmet Kotorri, biznesmen ndërtimi. Mësohet se I.Kotorri ka humbur jetën rrugës për në spital.
Policia ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes, duke nisur menjëherë punën për zbardhjen e saj, po hetohet në disa pista. Policia ka shoqëruar disa persona për të zbardhur vrasjen
06.05.2013
Gazeta Shqip