Bashkia e Vlorës ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke u ndalur në aksin Vlorë- Orikum.
Aksioni parashikon rrafshimin e 140 ndërtesave. Vetëm të martën janë prishur 40 ndërtesa.
Sipas ligjit të ri, pronarët e ndërtesave janë të detyruar që të pastrojnë vetë inertet e dala nga prishja e godinave.
Në rast se nuk identifikohet pronari, atëherë Bashkia e bën vetë pastrimin.
Ndërkohë në një takim me kryebashkiakë të zonave bregdetare, kryetari i PS kërkoi që ata të marrin shembullin e aksionit në Vlorë.
Kurse kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika tha se unifikimi i sistemit policor mbetet parësor.
“Është abuzuar me hapësirat e plazheve dhe duhet punuar për infrastruktura e shërbime më të mira. Ndërtimet e paligjshme gjithashtu janë një fenomen shqiptar, por ky fenomen mund të mbyllet në qelizë. Jo më larg se sot, në një koordinim me strukturat e policisë ne filluam një aksion në mbi 130 objekte të paligjshme në bregdet që do të mbyllë atë ide të mbrapshtë që ato nuk duhet të ndodhin. Po ashtu, mua më ka ndodhur që inspektori i policisë së ndërtimit është goditur në detyrën e tij dhe në vend të kishte mbështetjen e policisë, është thirrur një javë rresht nga prokuroria. Unifikimi i sistemit policor mbetet parësor. Duhet unifikim dhe koordinim më të gjitha hallkat e shtetit për të ndalur ndërtimet në territor dhe rehabilitimin e vijës bregdetare”, tha Gjika.
09.07.2013
Burimi: Gazeta Tema