Viti 2017 nisi me protesta e opozitës në bulevardin qëndror të Tiranës dhe u mbyll po me protestat e saj në Parlament.
Në zgjedhjet e qershorit, e majta arrin të garantojë një mandat të dytë qeverisës.
Tanimë e vetme, dhe pa aleatin e saj LSI-në, e cila kalon në opozitë.
Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha do të rikonfirmohet në këtë post, pas humbjes së thellë në zgjedhje.
Dhe përmes një gare të kundërshtuar nga kritikët e tij brenda partisë.
Viti 2017, nis dhe u mbyll me protesta
Procesi i Reformës në Drejtësi do të përparojë ngadalë duke hasur pengesa të shumta.
Për tre muaj me radhë opozita qëndroinë sheshin përpara kryeministrisë duke kërkuar largimin e Qeverisë si kusht për garantimin e zgjedhjeve të lira në Qershor.
Zgjidhja erdhi atëherë kur shumë pak e prisnin, falë një marrëveshjeje të arritur kokë më kokë, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha.
“Ne do të qëndrojmë në këtë shesh për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhje, të cilat vijnë vetëm përmes shporrjes së qeverisë së krimit dhe një qeverie teknike” deklaron zoti Basha në fjalën e tij gjatë manifestimit të 18 Shkurtit ku njoftohet dhe nisja e një proteste pa afat.
Çadra e ngritur menjëherë pas mbylljes së mitingut, do të kthehet në shtëpinë e opozitës për një kohë të gjatë. Ndërkohë që deputetët e saj bojkotojnë parlamentin .
Aksioni i opozitës përgjatë javëve vjen e ashpërsohet, sikundër dhe gjuha e saj.
“Doni luftë, luftë do të ketë, por qytetarët do të fitojnë”, shprehet zoti Basha më 24 Shkurt, në fjalimet e përditshme në çadër
Pjesëmarrja në zgjedhje
Më 10 Mars të gjitha partitë që i janë bashkuar protestës, njoftojnë se nuk do të rregjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit.
Për zotin Basha nuk bëhet fjalë për bojkot, “sepse zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë”.
Më vonë, ndërsa protesta ka hyrë në muajin e dytë hidhet ideja e shtyrjes së zgjedhjeve:
“Qeveria teknike do të duhet të ketë të paktën 100 ditë në dispozicion për të këputur lidhjet kriminale”, deklaron z. Basha më 2 Prill.
Pak ditë më pas, më 12 Prill, ai do të sulmojë dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve: “Projekti i Vettingut është një projekt mafioz”.
Eshtë pikërisht avancimi i Reformës në Drejtësi që shihet nga shumica si shkaku i protestës së opozitës.
31.12.2017