Një grup qytetarësh të paangazhuar kanë filluar të organizohen në rrjetet shoqërore dhe po bëjnë thirrje për një protestë qytetarësh para Gjykatës së Tiranës, protestë kundër vendimit të pafajësisë së tre gjykatësve për të akuzuarit për vrasjet e 21 janarit 2011.Protesta do te zhvillohet ne oren 12.30, të shtunën.
Gjykata e Tiranës u përzgjodh si vend i protestës veçanërisht për shkak se tre gjykatësit lëshuan një deklaratë mëngjesin e sotëm, ku ankoheshin për “presion” që po ushtrohet mbi ta nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Këshilli i Europës e përfaqësi të tjera diplomatike, të cilat kërkojnë me ngulm që Shqipëria të dënojë përgjegjësit për ngjarjet tragjike të asaj dite, përfshirë organizuesit e protestuesve të dhunshëm si dhe organizuesit e vrasjes së katër qytetarëve në fund të protestës.
Foto të shumta të manipuluara që po qarkullojnë në Facebook, ironizojnë vendimin e gjykatës si një akt vdekjeje për drejtësinë në Shqipëri. Një prej fotove, tregon gjykatësin Besnik Hoxha me mbishkrimin “Pështyjeni”.
“Një grusht gjykatësish, sado të korruptuar, nuk duhet të lejohet të nëpërkëmbin dëshirën e të gjithë shqiptarëve për sundim të ligjit dhe drejtësi,” tha njëri prej përdoruesve.
“Lajmi më i pamundur është se Gjykata e Tiranës pretendon se është në pararojë të luftës për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë nga imperializmi amerikan, revizionizmi Europian, shovinizmi greko-serb, etj etj,” ironizoi një tjetër.
Lajmi për zhvillimin e protestës po përhapet në Facebook përmes opsioneve “share” dhe “like”
08.02.2013
Burimi: Gazeta Shqip