Vendimi i KQZ, çfarë ndodh nëse zëvendësuesit nuk pranojnë mandatin…
Pas dorëzimit të mandateve nga partitë opozitare, Kuvendi iu drejtua Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të zëvendësuar vendet vakante nga lista e kandidatëve pasues.
Bëhet me dije se krerët e partive opozitare u kanë kërkuar edhe kandidatëve të tjerë mos pranojnë të marrin mandatet, por KQZ do të ndjekë procedurën.
Emrat që do të zëvendësojnë 56 deputetët e opozitës sipas KQZ janë:
Tirana aktualisht ka 14 vende vakante që duhet të plotësohen në parlament, 9 nga Partia Demokratike dhe 5 nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në vendet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministrit Berisha, Grida Dumës, Halim Kosovës, Gent Strazimirt, Jorida Tabakut, Albana Vokshit, Dashamir Shehit, apo Orjola Pampurit mendohet të ulen Gert Bogdanit, Dorian Telitit, Blendi Sulajt, Fuad Haxhiymerit, Fatbardh Plakut, Besnik Fuçia, Flamur Hoxha, Mirela Dragoni Tabaku, Barbara Doda, Enkeleda Sallaku.
Në Vlorë në rradhët e opozitës janë krijuar 4 vakanca, 3 nga PD dhe 1 LSI. Në parlament rradhën e ka ish– sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristanit, ish deputetit Dashamir Tahiri dhe Matilda Qurkut. Nga LSI, Sokol Dervishaj zë vendin e Shezai Rokajt.
Nga LSI në Berat largohen Nasip Naço e Silva Caka duke u zëvendësuar nga Llamriola Misto e Taulant Vrapi.
Në Dibër janë 3 deputet që i takojnë opozitës 2 nga PD dhe një LSI. Largohen Xhemal Gjunkshi e Dhurata Çupi dhe vijnë Denisa Vata dhe Edmond Isaku. Nga LSI ikën Perparim Spahiu dhe vjen Aurora Mara.
Në qyetetin e Durrësit, deputeti i LSI Lefter Koka nuk ka pranuar të djegë mandatin. Një tjetër mandat i djegur është ai i Nora Malajt që zëvendësohet nga një tjetër grua, Edlira Hysenit.
Nga PD ikin Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu, Edi Paloka e Florjon Mima dhe vijnë Agron Duka, Vullnet Topalli, Dejana Burgija dhe Enri Çeno.
Në Elbasan largohen nga PD Edmond Spaho, Endri Hasa e Luçiano Boçi dhe vijnë Taulant Zeneli, Arben Elezi dhe Nada Tapija.
Nga LSI lënë mandatin Monika Kryemadhi dhe Edmond Haxhinasto duke u zëvendësuar nga Rudina Mita dhe Enver Roshi.
Në Gjirokaster ikën Tritan Shehu dhe vend i shkon Mimoza Ccomos. Nga LSI ikën Vangjel Tavo dhe pasohet nga Ediola Braho.
Në Korçë vendet e Valentina Dukës, Ervin Salianjit, Hekuran Hoxhallit dhe Kleviz Balliut i shkojnë Andrea Manos, Ligoraq Karamelos, Fatmir Gudës dhe Soela Myrtollarit.
Mandati i Edmond Panaritit i shkon Piro Kapuranit.
Në Kukës, mandatet e Flamur Nokës dhe Isuf Çelës u shkojnë Alban Zenelit dhe Miftar Dautit.
Në Lezhë, ikin Aldo Bumçi, Lindita Metaliaj dhe Andon Frrokaj nga PD dhe vijnë Enkelejda Rica, Preç Zogaj e Martin Biba.
Nga rradhët e LSI largohet Viktor Tushaj dhe mandati i shkon Elda Hotit.
Në Fier, Myslim Murrizi do ta mbajë mandatin. Por nga PD ikin Enkelejd Alibeaj, Genc Pollo e Luan Baçi dhe mandatet e tyre u shkojnë Luljeta Sejkos, Olsi Ccukajt dhe Dilaver Kamberajt.
Nga LSI ikën Petrit Vasili, pasi Robert Bitri ka kaluar me PS dhe vjen Erisa Xhixho.
Nga Shkodra, PD lë mandatet e Nard Ndokës, Romeo Gurakuqit, Izmira Ulqinakut, Lorenc Lukës e Bardh Spahise dhe mandatet u shkojnë Benardeta Sykut, Gjokë Uldedajt, Anton Kokës dhe Prelë Gjonit.
Nga LSI, mandati i Agron Çelës i shkon Dritan Yllit.
Edhe pse është zbardhur lista e atyre që do të zëvendësojnë deputetët opozitarë, këta të fundit kanë deklaruar se edhe ata që presin në listë, do të refuzojnë marrjen e mandateve.
Por çfarë do të ndodh, sipas KQZ-së, nëse edhe pasuesit refuzojnë?
KQZ-ja do t’u kërkojë të tjerëve në listat e PD – LSI t’i marrin ato, derisa të ezaurohen e më pas t’u ofrohet kjo mundësi kandidatëve në listat e partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e 2017-ës.
Erjona Keta
01.03.2019