TIRANE – Në Fletoren e djeshme Zyrtare qeveria ka publikuar një ndryshim të bërë në Ligjin për Taksat Kombëtare, të cilave u është shtuar Taksa e ambalazheve njëpërdorimëshe të plastikës dhe të qelqit. Taksa e ambalazheve njëpërdorimëshe të plastikës caktohet në masën 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas.
Vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet, të prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend, caktohet në masën 50 lekë/kg. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore në momentin e importit në rastet kur importohen artikuj plastikë njëpërdorimësh për ruajtjen, mbajtjen apo paketimin e produkteve. Taksa mblidhet nga administrata tatimore në rastet kur mallrat, paketohen, ruhen apo ambalazhohen me ambalazh plastik njëpërdorimësh, të prodhuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Administrata tatimore është përgjegjëse për monitorimin e lëndëve të para, granulateve dhe artikujve gjysmë të gatshëm që përdoren në prodhim.
Taksa e ambalazheve njëpërdorimëshe të qelqit caktohet në masën 10 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Po kjo lloj takse do të aplikohet edhe në produktet e detit, në rastet e të cilave niveli i taksës së ambalazheve njëpërdorimëshe të plastikës përcaktohet 100 lekë/kg, niveli i taksës së ambalazheve njëpërdorimëshe të qelqit është 10 lekë/kg, ndërsa vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend, është 50 lekë/kg. Taksa e ambalazheve njëpërdorimëshe të plastikës dhe të qelqit për produktet e detit aplikohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas.
03.10.2012
Burimi: Balkanweb
Vendimi: Hyn në fuqi taksa e ambalazheve njëpërdorimëshe