Veliaj e Kodheli inspektojnë punimet në Tufinë: Strehimi i romëve, brenda javës
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, kanë inspektuar sot punimet që po bëhen në repartin e Tufinës ku do të strehohen disa familje rome që janë përzënë nga banesat e tyre.
Në një prononcim për mediat, ministri Veliaj theksoi se brenda javës do të përfundojnë punimet për të bërë të mundur strehimin e familjeve rome.
“Në një kohë rekord kemi gjetur bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kemi pasur një mobilizim total. Edhe sot që është e diel në këtë qendër është duke u punuar për rregullimin e kushteve higjieno-sanitare. Meqenëse banesat sociale nuk janë kompetencë e qeverisë qendrore, është e rëndësishme për ne që këtë vend e ka caktuar vetë komuniteti rom dhe këtu ky komunitet ka pranë shkollën, spitalin, autobusin. Ne jemi në fazën e fundit të punimeve dhe tashmë po bëjmë edhe ndarjet sipas familjeve dhe kurorave për familje. Këtë javë ne presim një vizitë nga Raportuesi i Komunitetit Europian dhe do donim që pikërisht këtë javë të fillonim transferimin e familjeve rome në këtë qendër”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se qeveria e kaluar për 8 vjet nuk bëri asgjë në lidhje me këtë shtresë edhe pse strehimi i tyre është një nga kriteret për të marrë statusin kandidat për në BE.
“Dua të rikthej në kujtesën tuaj 8 vjet të qeverisjes së vjetër që s’i dha asnjëherë një zgjidhje komunitetit rom, çka është një nga kriteret për të marrë statusin kandidat për në BE. Kjo shtresë gjatë qeverisjes 8-vjeçare është margjinalizuar, por ne do të punojmë që ta ngremë atë në nivelin e gjithë qytetarëve të tjerë”, tha Kodheli.
14.10.2013
Burimi: Gzaeta-Shqip
Veliaj e Kodheli inspektojnë punimet në...