Një fëmijë 6-vjeç ka humbur jetën në Shërbimin e Peditatrisë, në QSUT një natë më parë.
Fëmija me inicialet R.I, kishte mbërritur me urgjencë nga Spitali i Durrësit dhe ishte shtruar në Reanimacionin e Pediatrisë.
Vogëlushi vuante nga mëlçia dhe ishte bërë gati të transferohej në një spital jashtë Shqipërisë për të kryer transplantin.
Por, për shkak të përkeqësimit të situatës, paraditen e së hënës fëmija është sjellë me urgjencë, nga Durrësi në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT, dhe i është nënshtruar terapisë intensive në sallën e Reanimacionit.
Sipas mjekëve, 6-vjeçari kishte mbërritur në spitalin e QSUT-së në gjendje të rëndë dhe ata e diagnostikuan me insuficiencë multiorganore (pamjaftueshmëri organesh), diagnozë kjo e papajtueshme me jetën.
Megjithë përpjekjen e mjekëve, për të mbajtur 6-vjeçarin në parametra jetike, në mënyrë që koha të premtonte që ai të mund të transferohej për të kryer transplantin e këtij organi, ka qenë e pamundur.
Elona Tereziu
15.01.2019