Unaza e Re, plagosen protestuesit, Lleshaj viziton të plagosurit, Policia apelon…Banorët që preken nga zgjerimi i Unazës së Re kanë zhvendosur protestën e tyre para Parlamentit. Ato tentuan dy herë të çanin kordonin e policisë dhe të futen në Parlament, gjë që nuk u lejua nga forcat e policisë. Por në këtë protestë nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes banorëve të Unazës së Re dhe policisë. Pas disa momenteve të dhunshme, në ambientet para godinës së Parlamentit është parë të mbërrijë një ambulancë, e cila ka marrë disa efektivë të plagosur. Nga përplasja mes protestuesve dhe policisë para parlamentit, raportohet se kanë mbetur të plagosur 6 efektivë nga radhët e uniformave blu. Mes të lënduarve është edhe nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu. 6 të plagosurit në protestën e ditës së sotme i ka vizituar në spital Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Unaza e Re, plagosen protestuesit, Lleshaj viziton të plagosurit, Policia apelon…
Ndërkohë disa protestues janë shoqëruar nga policia. Në tentativë për të çarë kordonin policor, banorët u përplasën me policinë ndërsa nuk mungoi hedhja e sendeve të forta si dhe tymueseve. Më vonë në një komunikatë për shtyp Policia e Shtetit ju bëri thirrje protestuesve që të distancohen, të mos ushtrojnë dhunë dhe të mos hedhin më kapsolla. Kjo është dita e 19 e protestës së tyre. Ata kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë që do të prishen nga zbatimi i projektit të Unazës së Vogël. Por qeveria këmbëngul se ata kanë ndërtuar pa leje dhe rrjedhimisht nuk mund të marrin dëmshpërblim.
Për lajm-shqip:
Erjona Keta
22.11.2018