Ka shumë tregime të frikshme, legjenda urbane dhe të vjetra, por asgjë nuk është më e frikshme sesa tregimi nga jeta e përditshme, që vjen nga një person i rëndomtë, si ne dhe ju
Autobusi i shkollës
Ishim duke udhëtuar nga Tijuana për në Sonora (Kaliforni), vonë natën. Mua më kishte marrë gjumi, por u kthjella pasi që dëgjova nënën duke thënë: “A po më bëjnë sytë, a çka? Si mund të vozisin kështu?”. Kurse babai u përgjigj: “Nuk e di, pse do të vozisnin kështu në këtë orë të natës”?
Unë i hapa sytë pakëz dhe pashë një autobus të frikshëm të shkollës, që gjendej para nesh, në mes të shkretëtirës, me të gjitha dritaret të thyera. Babai im vendosi ta tejkalonte atë autobus, meqë ai shkonte tepër ngadalë. Ishte terr, kështu që nuk mund të shihnim se kush voziste. Ne më pas u ndalëm në një pompë të benzinës dhe pritëm 45 minuta që të kalonte autobusi. Edhe pse rruga ishte e drejtë, pa kthesa të tjera, autobusin kurrë nuk e pamë më. A thua, ku mbeti?!
(Tregon Amparo Espinoza)

Tabela “Ouija”
Në vitin e parë të studimeve, kishim bërë tri seanca me tabelë “ouija” (për thirrjen e shpirtrave) në dhomën tonë të gjumit. Pas kësaj filluam të dëgjonim muzikë të çuditshme, ulërima, hungërima, të qeshura, derisa ishim vetëm në dhomë të gjumit. Cimerja ime Jackie një ditë hetoi sesi një fëmijë ia kapi dorën. E, mua më shtireshin gjëra vazhdimisht. Shihja një vajzë me flokë të gjatë, të zinj, që qëndronte afër shtratit tim. Shihja edhe një njeri me uniformë. Kurrë nuk kuptova domethënien e tyre.
(Tregon Katherine Hortman)

Qeni
Rreth pesë vjet më parë, familja ime kishte një qen, pastor gjerman, një qen aq të urtë, sa që kurrë nuk lehte. Një ditë, unë dhe motra ime u kthyem nga shkolla dhe ai, si zakonisht, na përshëndeti me mënyrën e vet, por më pas u ndal dhe filloi të na shikonte. Sapo lëshuam çantat poshtë, dëgjuam hapa, sikur kur dikush ecë shkallëve lart, edhe pse askush nuk gjendej aty, përpos neve. Më pas dëgjuam zhurmët sikur kur dikush ikë duke vrapuar. Doja të bërtisja dhe të ikja nga aty, por disi unë dhe motra mbetëm të shtanguar nga frika. Qeni më pas u ngrit në këmbë, filloi t’i tregonte dhëmbët dhe të gjitha qimet iu ngritën përpjetë. Për herë të parë në jetë e dëgjova duke lehur dhe duke ndjekur “diçka” lart shkallëve. Më pas, ai u ndal së lehuri dhe u kthye që të qëndronte me ne. Më pas u kthye babai dhe ia treguam të gjitha, por ai nuk na besoi. Atij nuk i kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë, prandaj për të, gjërat e tilla nuk ekzistonin.
(Tregon Katya Tatiana Almaraz).

Nëna e zezë
Kur nëna ime kishte vetëm rreth 3 vjet, gjyshja kishte filluar ta lexonte librin “The Exorcist”, kur papritmas kishte filluar të dëgjonte murmuritje nga dhoma e nënës sime. Kur ajo kishte hyrë në dhomë, nëna ime, atëherë vogëlushe, ia kishte bërë me dorë, derisa gjendej afër shtratit të saj.
Kur gjyshja e pyeti se çka ishte duke bërë, nëna i tha: “Jam duke vallëzuar me të”.
Gjyshja ime e kishte pyetur: “Me kë po vallëzon”?
“Me Nënën e zezë”
“Pse po thua e zezë, zemër? A e ka lëkurën e zezë, a”?
“Jo, nënë. Zemrën e ka të zezë”.
Gjyshja ime e kishte djegur librin menjëherë.