Transporti publik urban në Durrës paraqet një sërë problemesh, ndonëse që nga kalimi i shërbimit te operatorët privatë janë krijuar linja të reja urbane dhe përmirësuar autobuzat e linjave. Megjithatë qytetarët në përballjen e përditshme me autobuzët e linjave urbane në qytet ankohen për vonesat e autobuzëve, mosrespektimin e orareve, qëndrimit në stacion, kohëzgjatjes së kufizuar të shërbimit në orët e mbrëmjes, higjenës dhe mosvënies në punë të kondicionerëve në stinën e nxehtë të verës. Në organikën e Bashkisë së Durrësit është vetëm një përgjegjës dhe inspektor për transportin publik i cili e ka të pamundur monitorimin e këtij shërbimi nga operatorët privatë, ndërsa policia bashkiake thuajse inekzistente në shërbimin e saj është drejt shkrirjes në një nga bashkitë më të mëdha të vendit.
Në këtë situatë, prej afro një viti Qendra e Konsumatorit Shqiptar me mbështetjen e LëvizAlbania është përfshirë në monitorimin e situatës dhe aktivizimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe shoqërisë civile për të siguruar përmirësimin e këtij transportit publik në qytet. Po monitorimi nuk ka përfshirë të gjitha linjat urbane, po vetëm 3 prej tyre dhe pikërisht ato që lidhin qytetin me godinat universitare dhe plazhin, konkretisht linjat Durrës-Currila, Durrës- Kampusi Universitar dhe Durrës-Plepa.
Drejtorja ekzekutive e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar Ersida Teliti shprehet për Lajm-Shqip:
“Janë bërë dy monitorime që kanë pasur në fokus frekuencën e autobuzëve urbanë, higjenën e tyre ka pasur shumë problem, ashtu si dhe me sinjalistikën dhe numrin e autobuzave që nuk korrespondon me numrin e përcaktuar në kontratën e operatorëve me bashkinë.
Ka pasur përmirësim të shërbimit nga monitorimi i parë në të dytin, po sërish ka mjaft vend për t’u përmirësuar. Higjena dhe përcaktimi i vendeve për personat me nevoja të veçanta mbeten ende problem ndër të tjera.”
Ndërkohë në takimin përmbyllës të zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës, Valentin Floriri, shef i qarkullimit në Durrës nuk i kurseu kritikat për policinë bashkiake e cila është pothuajse inekzistente në ushtrimin e detyrave të saj.
“Jemi në kontakt të përhershëm me sektorin e transportit në Bashkinë Durrës për përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale për vendqëndrimet e mjeteve të transportit public dhe ndaj shkelësve janë marrë masa administrative, kryesisht ndaj personave që parkojnë në vendqëndrimet e autobuzave. Ne vlerësojmë çdo sinjalizim, po trafikun e rregullojnë dhe vetë qytetarët duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Nuk dua të heq përgjegjësinë e policisë së qarkullimit, por edhe policia bashkiake duhet të veprojë. Ajo nuk ka funksionuar ndaj i bëj thirrje bashkisë që ta verë në detyrë policinë bashkiake që të monitorojë linjat e transportit urban dhe të marrë masat e saj.”
Florian Tahiri, nënkryetar i bashkisë Durrës shprehet se problematikat e ngritura nga monitorimi i parë iu paraqitën nga bashkia operatorëve privatë që ofrojnë shërbimin e transportit publik urban në Durrës.
“U përmirësua higjena, korrektësia në orare, janë vendosur dhe vijëzimet e ulëse në stacione. Vend për përmirësime ka ende dhe këto monitorime janë të domosdoshme për të na ndihmuar ne si pushtet vendor për të kërkuar llogari në emër të konsumatorëve dhe përmirësuar shërbimin.
Me reformën territoriale na është trefishuar hapësira në administrim dhe popullsia, por edhe përgjegjësia. Duhet pranuar që policia bashkiake nuk është efiçente dhe për këtë është menduar të shkrihet fare si strukturë.”- tha ai.
Nevoja për monitorim të këtij shërbimi është dhe në linjat e tjera si dhe për vazhdimin e këtyre linjave dhe pas mbarimit të këtij projekti.
27.10.2017
Për Lajm-Shqip
V.Q