Trajkoviç, bën deklaratën e fortë: Thaçi e Vuçiç pazare me shkëmbimin e territoreve…
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ajo ka deklaruar se dy presidentët kanë përfitme personale nga çështja e shkëmbimit të territoreve në mes të dy vendeve, prandaj edhe janë të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë.
“Për Thaçin kjo çështje do të ishte e përshtatshme për mbrojtjen nga përgjegjësia para Gjykatës Speciale dhe në këtë mënyrë do të amnistohej për atë që ka bërë, trafikimin e organeve të serbëve të abuzuar e kidnapuar”, është shprehur Trajkoviç.
Ndërsa nga ana tjetër ajo ka thënë se Vuçiç nuk heq dorë nga kjo ide, duke shfaqur dyshimet se ai ka disa obligime ndaj Thaçit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Është i përcaktuar të punojë në një projekt që është jashtëzakonisht i pafavorshëm për ne, që nënkupton vendosjen e një kufiri të përhershëm përmes demarkacionit, që në thelb nënkupton ndryshimin e identitetit të Kosovës dhe që nga një identitet i krishterë përmes historisë, ai do të bëhet plotësisht mysliman, një bazë për krijimin e organizatave ekstreme myslimane , për forcimin e tyre si 99% e popullsisë myslimane dhe 1% e të krishterëve”, tha Trajkoviç.
Ajo ka theksuar se beson se Bashkimi Europian do ta hedhë poshtë projektin e shkëmbimit të territoreve, duke shtuar se do të jetë prioritet zgjidhja e çështjeve të brendshme, siç janë të drejtat e njeriut dhe respektimi i tyre.
Elona Tereziu
04.03.2019