TIRANË- Tre vatra zjarri në të njëjtën kohë në kryeqytet. Raportohet se mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00 një zjarr ka rënë në një apartament që ndodhet në katin e tretë të një pallati përballë Pediatrisë.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe kanë vënë në kontroll flakët. Bëhet me dije se një person që ndodhej në apartamentin ku ra zjarri është hedhur nga kati i 4-t për t’i shpëtuar flakëve dhe fatmirësisht ka mundur të shpëtojë. Ky i fundit ka rënë në tendën e ballkonit të katit të parë, duke shpëtuar vetëm me disa plagë të lehta.
Pas ngjarjes ai u dërgua në spital, ndërsa zjarrfikësit mundën të shpëtojnë 3 anëtarët e tjerë të familjes.
Në një prononcim për News 24 drejtori i zjarrfikësve Haki Hoxha bën me dije se dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë plasja e një bombole gazi.
Zjarri i dytë ka rënë në një banesë në Laprakë, për të cilën Hoxha sqaron se në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse duke e vënë nën kontroll.
Ndërkaq një tjetër vatër zjarri ka rënë në Kamëz, ku disa shkurre e mbeturina kanë marrë flakë. Nga përhapja e flakëve rrezikohej një banesë, por ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë në kontroll flakët rezultoi e suksesshme.
22.07.2013
Burimi: Balkanweb
eva
Jane me te vertete per tu pergezuar forcat zjarrfikëse, per gadishmerine qe kane treguar. Ja vlen te shperblehen sa nuk ka me, nuk u mjafton rroga se ata shpetojne jete njerezish dhe vene koken e tyre ne rrezik. Fjala ime ne vesh te qeverise, duhet thene ne kete rast, e jo ne vesh te perendise