Thyhen akujt mes dy shteteve/ Pas 65 vitesh, një President turk do të vizitojë Greqinë
Thyhen akujt mes dy shteteve
Pas 65 vitesh, figura më e lartë e shtetit turk, do të vizitojë Greqinë.
Është konfirmuar zyrtarisht se më datat 7-8 dhjetor presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan do të vizitojë Athinën, me ftesë të homologut të tij grek.
Ai do të takojë presidentin grek Pavlopoulos si dhe kryeministrin Tsipras.
Tema kryesore në axhendën e bisedimeve, sipas qeverisë greke, janë:
Kriza migratore, siguria në rajon, bashkëpunimi ekonomik, marrëdhëniet BE-Turqi si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Por, sipas mediave turke, bisedime do të ketë edhe për çështjen e azilit që u është dhënë tetë ushtarakëve turq të arratisur në Greqi, pas grushtit të dështuar të shtetit si dhe për çështjen qipriote.
Presidenti turk shoqërohet nga zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, si dhe nga nga 11 drejtorë të mediave turke bashkë me 46 gazetarë.
Analistët politikë besojnë se marrëdhëniet turko-greke vazhdojnë të jenë të vështira, por kjo vizitë do të përmirësojë klimën midis dy vendeve.
Erdogan që do të jetë presidenti i parë që viziton Greqinë pas presidentit Xhelal Bajar, 65 vite më parë.
03.12.2017