Pas kontrolleve në terren, tatimet, që janë në kulmin e aksionit antiinformalitet, e kanë përqendruar vëmendjen tek deklarimi i punonjësve dhe pagave reale të tyre.
Në një njoftim që u është dërguar së fundmi bizneseve, tatimet i kanë ftuar subjektet që të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore, përmes vlerësimit të deklaratave.
Edhe më herët drejtues të tatimeve kishin paralajmëruar se do të përqendroheshin në deklarimin e pagave reale të punonjësve.
Drejtoresha rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj gjatë një takimi pak javë më parë me Dhomën Amerikane pohoi kontrollin në fjalë.
Por kontrollet s’do të jenë më për sigurimin, por për nivelin e pagës.
Evazioni me mosdeklarimin e pagës reale është tepër i lartë në vend. Shumë subjekte i deklarojnë punonjësit me pagë minimale, ose me paga që janë larg asaj reale.
Shqipëria mbledh si kontribute të sigurimeve shoqërore vetëm 5% të prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i ulët jo vetëm në Europë, por edhe në rajon.
Në vendet e rajonit kontributet e sigurimeve sjellin më shumë se 10% të PBB-së.
Ndonëse punonjësit sot mund të jenë të kënaqur me deklarimin e pagave më të ulëta, pasi marrin më shumë para cash, kjo mund t’u kthehet në bumerang në të ardhmen.
Kjo ndodh sepse përfitimet për lindjet për femrat dhe kur të dalin në pension do të jenë minimale.