Giulia Sauro është 33 vjeç dhe vuan nga sindroma down, shkruan tgcom. Sëmundja nuk e pengoi Giulia-n që me vendosmëri të përfundonte studimet për “Shkenca Politike” në Universitetin e Napolit, me maksimumin e pikëve.
Kjo gjë i dha asaj dhe familjes mjaft kënaqësi. Pas diplomimit Giulia takoi kryebashkiakun e Napolit Luigi de Magistris dhe guvernatorin e provincës Vincenzo De Luca.
“Giulia Sauro është një vajzë e jashtëzakonshme dhe ishte diçka shumë e bukur ta takoja sot bashkë me prindërit e saj.
Giulia është shembulli i inteligjencës, forcës, vullnetit dhe kurajos. Ajo është studentja e parë me sindromën down e diplomuar për shkenca politike, me pikë maksimale madje. Urime!”, shkroi guvernatori De Luca në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa kryebashkiaku de Magistris nënvizoi gjatë takimit se “Giulia është rasti i tretë në Itali i personave down, e cila merr titullin akademik”.
Studentja me sindromën down diplomohet me rezultat maksimal në Napoli…
Giulia u diplomua me tezën mbi “Revolucionin francez “me Luigi Mascilli Migliorini.
Në rrugën e saj universitare, ajo u mbështet nga projekti “Të gjithë të barabartë”, në të cilin vajza mori pjesë duke arritur të fitojë edhe një bursë studimi.
Pas diplomës në gjimnaz, Giulia donte me çdo kusht të vazhdonte studimet.
Ndërmori një hap aspak të lehtë, por falë mbështetjes së universitetit dhe mbi të gjitha, të familjes së saj, ia doli të arrijë rezultate të shkëlqyera.
“Jam i emocionuar. Për vajzën time ishte një përfundim i mrekullueshëm, të cilin e arriti falë vendosmërisë së saj, por që u bë e mundur edhe nga gatishmëria e universitetit”, u shpreh babai i Gulias.
“Shpresa jonë është që të mund të gjejë një punë. Kjo jo për arsye ekonomike, por për t’i dhënë një kuptim impenjimit të Giulias për gjatë gjithë këtyre viteve”, përfundon ai.

Për lajm-shqip:
Klajdi Thaçi
03.05.2018