Vetëm pak orë pasi në media u transmetua video e dhunës verbale e fizike në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë, pesë punonjëset që janë shfaqur në video janë shkarkuar nga puna nga Bashkia e Vlorës. Janë pushuar me motivacionin dhunë verbale dhe veprim e mosveprim për aktet e dhunës.
Por nga ana tjetër, disa shkresa të siguruara nga institucioni i Avokatit të Popullit tregojnë se situata ka qenë e njohur dhe e paralajmëruar prej tyre rreth një vit më parë.
Skandali në Shtëpinë e Foshnjes, ja kush e kishte paralajmëruar ngjarjen1 vit më parë
Më datë 09.06.2017, komisioneri Ermir Kapedani iu drejtua Bashkisë Vlorë dhe Shërbimit Social Shtetëror me një shkresë, ku thuhet: “Marrjen e masave të menjëhershme për tërheqjen e vëmendjes së stafit që punon direkt me fëmijët, për një komunikim sa më etik dhe profesional me fëmijët e këtyre grupmoshave, si dhe trajnimin e stafit mbi etikën e komunikimit në punë, si dhe për parandalimin e çdo forme dhune ndaj fëmijëve”.
Por Bashkia e Vlorës nuk ka kthyer kurrë përgjigje. Ndërsa Shërbimi Social Shtetëror, pasi ka realizuar monitorimin në Shtëpinë e Foshnjes, më 21.06.2017 është shprehur se nuk ishin evidentuar probleme të sjelljes së stafit ndaj fëmijëve.
Avokati i Popullit ka konstatuar gjithashtu se në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë asokohe nuk ka patur psikolog, roje, mjek dhe infermier. Gjithashtu u vërejt se godina kishte lagështirë të theksuar. Kjo shumë e dëmshme për shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj