Skandal : – Shkolla e fshatit shërben për dasma e ceremoni mortore….
Mund të quhet skandaloze ajo, që ka ndodhur në Gramsh.
Aty ku merret dije e kulturë, këndohet e kërcehet për dasma në fshat. Sikur të mos mjaftonte kjo, aty qahen edhe të vdekurit e më pas u shtrohet dreka e fundit.
Kjo ka ndodhur në fshatin Gjergjovinë të nënprefekturës së Gramshit.
Për raste gëzimesh dhe fatkeqësishë, shkurtohen edhe orët e mësimit. Kjo, për arsyen e dyfishtë. Ose do të organizohet dasëm brenda në shkollë, ose do të shtrohen dreka mortore.
Në fakt, është një pjesë e komunitetit, që ka bërë një denoncim kolektiv në emisonin investigativ, ”Fiks-Fare”.
Sipas denoncuesëve, është vetë drejtoresha e shkollës ajo që urdhëron shkurtimin e orëve të mësimit.
Fill, pas denoncimit mediatik, Zyra Arsimore e Gramshit ka ngritur një ekip kontrolli. Ky, për të marrë masa disiplinore ndaj drejtueses së shkollës.
Së pari, ajo ka thyer ligjin. Pasi koha e orëve të mësimit është e paprekshme për çfardo arsyeje.
Së dyti, nuk ka bërë as njoftim e as ka marrë leje nga Zyra Arsimore e kësaj nënprefekture.
Vetë nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar, kanë pohuar organizime të dasmave e ceremonive mortore në mjediset e brendëshme të shkollës.
Pohime të njëjta kanë bërë edhe shumë banorë, që kanë fëmijët e tyre në këtë shkollë.
Ndërkohë, përgjegjësi i ZA, Gramsh mohon që të ketë dhënë leje për ceremoni të tilla.
Nga ana tjetër vetë drejtoresha e shkollës ka pohuar se ZA është në dijeni të këtyre veprimtarive prej vitesh.
Pritet që ekipi i kontrollit të dalë me masa konkrete ndaj drejtueses së shkollës.
Alfrida Danushi
12.02.2019