Për Opinion Nga Nertila Meta.
Shumëkush iku, unë qëndroj në vendin e shqiponjave. Të penetrosh në mendjen e shqiptarëve, duhet të kesh njohur me patjetër një burrë me mustaqe të gjata.
Shumëkush iku, unë qëndroj në vendin e shqiponjave?…

Me qeleshe malësori, me fustanell labi dhe me jelek myzeqari.Për aq kohë sa unë jetoj në Shqipëri, kam privilegjin të jem midis dy urave lidhëse. Të dy karaktereve të forta. – Po sa shqiptare jam unë?
Sa shumë më ka munduar kjo pyetje. Kur unë duhet të zgjidhja rrugën e jetës sime, më persekutonte kjo pyetje. Një presion komercial, kur të afërmit, miqtë, bashkmoshataret” u arratisën. Kjo, për një jetë më të mirë.
Unë jam këtu. Nuk e di në fakt bëj mirë apo bëj keq. Por vazhdoj të jem këtu. S’di dhe për sa kohë…Jo për faktin se nuk kisha mundësi.Por me idealin se Shqipëria bëhet nga shqiptarët. Kjo, duke aspiruar se e ardhmja ime varet nga unë. Dhe e nesërmja është po aq e bukur, sa kur unë jetova dhe dje. Prej 28 vitesh tranzicion Shqipëria ime ende s’ka marrë formë një politikbërje individuale. Pamundësia, për të thënë të vërtetën.
Të tjerët e fshehin për arsye se kështu dëshirojnë. Unë zgjodha të isha këtu, për ta thënë atë në heshtje, por dhe me të bertitura.

Po Shqipëria bëhet nga shqiptarët. Si ballkanas, kemi të injektuar thellë në gjak patriotizmin. Kjo, për faktin se të gjithë na kanë kafshuar një copë krahë. Një copë këmbë.Një copë kokë dhe një copë trup. Sa kohë ky flamur valvitet në arenat kombëtare dhe ndërkombëtare, jam krenare që jam shqiptare.
Sa herë që kjo “politikë” vazhdon të na prishë qetësinë, edhe në ditë të tilla kombëtare, unë pyes veten. Dreqi e mori, sa shqiptare jam unë? Kjo pyetje do më përndjekë çdo ditë të jetes sime. Gëzuar flamuri ynë. Vetëm ti s’ke ndryshuar as dje, as Sot. Të lutem mos ndrysho as nesër…
Nertila Meta
02.12.2018