Ndahet nga jeta në Tepelenë Naim Pasha një martir i burgjeve të diktaturës komuniste, pjestar aktiv i kryengritjes së Spaçit.
Naim Pasha vuajti plot 22 vjet burg në burgjet komuniste për shkak të bindjeve dhe aktivitetit të tij politik antikomunist.
Ai i qëndroi besnik bindjeve të tij në mënyrë të palëkundur deri në fund të jetës. Por kurrë nuk kërkoi revansh dhe hakmarrje për vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist.
Bashkëqytetarët dhe bashkëvuajtësit e tij do ta kujtojnë me respekt për shpirtin e pastër dhe human, për sakrificat dhe kontributin.
Naim Pasha konsiderohet si një nga heronjtë e revoltës antikomuniste të Burgut të Spaçit. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në këtë përpjekje epike të të burgosurve politikë antikomunistë kundër regjimit.
Protesta e tyre u shtyp shpejt, por ajo tronditi rëndë themelet e diktaturës nga burgu ku protestuesit ngritën flamurin kombëtar.
Naim Pasha lindi në 28 shkurt të 1947 në një familje atdhetare në Lopas të Tepelenës.
Të afërmit, autoritetet vendore, bashkëvuajtësit e Naim Pashës përcollën dje për në banesën e fundit trupin e “Mandelës së Jugut”.

Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani