Problemi më i madh i shqiptarëve është padyshim braktisja nga shteti, i cili duket se harron shpesh se në Shqipëri ka njerëz në nevojë të cilëve u duhet ndihma e autoriteve për të mbijetuar. Një rast i tillë është trajtuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni “Boom”, i cili solli rastin e një 23-vjeçari që jeton në kushte të mjerueshme me të ëmën. Ndërkohë që nëna e tij vuan nga probleme mendore.
Raste të tilla si e Marjolit, në Shqipëri ka me mijëra. Në momentin që ato publikohen në media, publiku shqiptar njihet edhe më shumë me hallet e shoqërisë.
Disa janë shumë të pasur e disa të tjerë nuk kanë një çati mbi kokë. Madje, si në rastin më të keq të Marjolit, gjenden të vetëm me një prind të sëmurë. Kjo është ironia më e keqe e fatit, ku stë ngelet asgjë tjetër veçse të pranosh realitetin dhe t’i lutesh për ndihmë Zotit e njerëzve që munden të të mbështesin sadopak.
Mes skamjes dhe lotëve që nuk e lënë të flasin, Marjoli na përcjell pamjet më të trishta që mund të kemi parë ndonjëherë të mjerimit. Mjerimi ka goditur në palcë 23-vjeçarin, por edhe publikun, i cili e ka parë nga ekrani historinë e djalit nga Roskoveci.
Shteti ka mbaruar/ 23-vjeçari jeton me nënën e sëmurë në varfëri, i heqin dhe ndihmën ekonomike
Marjol Dokasni jeton në fshatin Vidhisht të Rroskovecit dhe nuk e ka njohur babain. Prindërit e tij u divorcuan kur ai ishte vetëm disa muajsh.
Banesa e tyre është një dhomë e vogël të cilën ia ka ndërtuar daja 20 vite më parë. Sapo futesh brenda të errësohen sytë. Muret janë të nxira në çdo cep të tyre ndërsa tavani mund të bjerë nga momenti në moment.
Pesha që jeta ka vendosur mbi supet e Marjolit është shumë e rëndë. Ai duhet të kujdeset për mamanë e sëmurë, të sigurojë ushqim për familjen, i shtojmë kësaj faktin që në muajin janar Bashkia e Rroskovecit i ka ndërprerë ndihmën ekonomike.
Nënkryetari i Bashkisë ka sqaruar se kjo familje doli nga skema e ndihmës ekonomike sepse Marjoli u punësua për disa muaj, dhe mundësia e vetme tani është riaplikimi në qershor. Ndërsa për ndonjë fond që të ndërtohet ndonjë dhomë, gazetarëve të emisionit u është sqaruar, se për momentin Bashkia nuk ka fonde.
Marjoli: I kam menduar se jeta ime ka mbaruar, nuk kam parë një gëzim. Vetëm kur kam qenë në gjimnaz që më kanë blerë rroba shokët. Duhet të mundohem të punoj të mbaj veten time dhe mamanë.
Gazetarja: Po ti çfarë kërkon?
Marjol Dokasni: Unë dëshiroj ndonjë punë.
Gazetarja: Ke shkuar te zyrat e punës?
Marjol Dokasni: Kam shkuar, ata më thanë që mund të bësh punë me një furgon të Roskovecit për te këpucaria, por vetëm kaq më thanë. Nuk ma hodhën emrin në kompjuter.
Gazetarja: Me çfarë jetoni?
Marjol Dokasni: Me borxh, mamaja më futi në dhe të gjallë.
Gazetarja: Ju, merrni ndihmë ekonomike?
Marjol Dokasni: Merrnim, por tani jo
Gazetarja: Sa kohë ka mamaja që është e sëmurë?
Marjol Dokasni: Ka 20 vjet, por ka prapambetje mendore dhe këto kohë është rënduar shumë.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj
31.05.2018