Procedurat
Nga gjykata njihen vetëm përgjimet me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme
Përgjimet që kryhen nga strukturat e shtetit tonë dhe që njihen nga gjykata bëhen të gjitha me lejen e Prokurorisë së Përgjithshme. Por, ka nga ato përgjime që bëhen vetëm për parandalim, siç i realizon Shërbimi Informativ Shtetëror, apo struktura të tjera. Megjithatë, veç prokurorisë, policisë dhe SHISH, që dihen botërisht se bëjnë përgjime, ekzistojnë edhe institucione të tjera, që kryejnë veprime të tilla. Sot, aktualisht ka vetëm një bërthamë përgjimesh, e cila në bashkëpunim me kompanitë celulare është e instaluar në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që pritet që një e dytë të realizohet në Prokurorinë për Krimet e Rënda.
Prokuroria
Institucioni kryesor i përgjimeve është pikërisht prokuroria. Ajo ka bashkëpunim të ngushtë me SHISH dhe policinë. Çdo përgjim, kryesisht ato të dosjeve të korrupsionit, që paraqiten në gjykatë janë realizuar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme. Por, ekzistojnë edhe përgjime të tjera, të cilat realizohen për vepra të ndryshme penale, që kërkohen më së shumti nga policia. Megjithatë, vetë uniformat blu nuk kanë akses përgjimi telefonik, por disponojnë mjetet dhe kanë akses përgjimi ambiental. Sa i përket përgjimit të celularëve, në çdo rast policia duhet t’i drejtohet organit të akuzës. Kompanitë celulare instalojnë të gjithë bazën për kodet e nevojshme dhe përshtatin të gjithë infrastrukturën në zyrat e përgjimit. Më pas vendoset numri në përgjim, nëpërmjet klonimit dhe hetuesi dëgjon të gjitha bisedat. Prokurori i Përgjithshëm mund të autorizojë edhe institucione ndërkombëtare për përgjime. Bashkëpunim të ngushtë ka pasur me shtetin italian, ku drejtësia e këtij vendi ka të gjitha aparaturat që mund të përgjojnë edhe numra shqiptarë, krahas atyre italianë. Por gjithmonë këto përgjime, nëse do të përdoren në gjykatë, kalojnë nga dora e Prokurorit të Përgjithshëm.
Policia
Kohët e fundit, policia ka kërkuar që autorizimi i përgjimeve të jetë më i lehtë, por kjo kërkon ndryshime ligjore. Madje, krerët e policisë kanë kërkuar përgjime edhe në mjetet e transportit, por ato nuk lejohen për arsye se cilësohen pronë private dhe jo publike. Ndërkohë, në lidhje me rastin e parë të përgjimit të një telefoni në Shqipëri, mësohet se ka ndodhur shumë vite më parë dhe u realizua gjatë një pengmarrje në Vlorë, kur morën peng djalin e një biznesmeni. Autorët mbanin kontakte me një nga policët, i cili u tregonte planin e policisë çdo ditë, kështu që ata mund të spostoheshin nga vendi i fshehjes. Thuhet se një shef që erdhi nga Tirana e nuhati këtë punë dhe një mëngjes i rreshtoi të gjithë policët. U mori celularët e ndezur dhe pengmarrësit telefonuan në njërin prej tyre. Bashkëpunimi me një kompani celulare bëri që të gjendej cili numër e kishte marrë dhe ku gjendej në atë moment. Falë kësaj, autorët u kapën.
SHISH
Në bazë të aparaturave që ka, shërbimi sekret mund të bëjë përgjime të ndryshme, pa pasur nevojë ndihmën e të tjerëve. Por, përgjimet e tyre, janë parandaluese, siç ishte rasti i përgjimit të mesazheve kërcënuese ndaj kreut të opozitës, Edi Rama. Aparatura i kapi këto sms, para se të mbërrinin në antenë dhe nuk i lejoi që ato të shkonin në celularin e Ramës. Shërbimi Informativ mund të përgjojë qindra numra njëkohësisht për nevoja të ndryshme për sigurinë kombëtare.
SHIU dhe Garda
Organizma të tjerë shtetërorë që kanë aparatura përgjimi janë Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Garda e Republikës. Madje, kohët e fundit, opozita akuzoi SHIU-n se ka përdorur një aparaturë të blerë për përgjimin antiligjor të deputetëve të Partisë Socialiste, duke abuzuar me detyrën shtetërore. Ndërkaq, Garda është përfolur shumë për përgjime, por më shumë për antipërgjues, ose aparatura që nuk lejojnë sinjalet telefonikë. Madje, më 21 janar 2011, Garda, me aparaturat e saj zhduku të gjitha sinjalet telefonike në afërsi të Kryeministrisë. Nga ana tjetër, tashmë edhe zyra në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po bëhet me bërthamë përgjimesh. Aparaturat janë instaluar pothuajse komplet, por ende nuk është vendosur vënia në punë e tyre. Në përgjimet e ndryshme mund të bien qytetarë të ndryshëm, por nëse ata rezultojnë se nuk janë të përfshirë në afera të ndryshme të jashtëligjshme, emrat e tyre zhduken nga bërthama e përgjimeve dhe është e rreptësishtë e ndaluar që bisedat e përgjuara të publikohen.
Tatimet
Në shkurt të vitit 2009, me anë të një vendimi të posaçëm, Kryeministri Berisha ngre strukturën e hetimit tatimor, e cila drejtohet nga Agim Shehu. Me anë të kësaj strukture, tatimet kanë mundësi të investigojnë me forma të ndryshme shkeljet e biznesit. Përgjimi i telefonit nuk është mjet i përdorur nga tatimet, pasi mungojnë pajisjet, por ka të drejtë ta kërkojë tek institucionet kompetente. Struktura e departamentit operativ-hetimor ka të drejtë të mbledhë, përpunojë, ruajë, analizojë, shfrytëzojë dhe shpërndajë informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. Kjo strukturë, mund të marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. Në vendim thuhet se, bashkëpunimi i fshehtë me individë, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit.
Kuriozitete
Aparatura me vlerë 400 mijë USD në tregun e zi
Ka aparatura në treg që kushtojnë mbi 400 mijë dollarë dhe u shiten vetëm organizmave shtetërorë. Edhe po të kesh para duhet ta blesh me “mik”. Këto aparatura janë kompjuterë të fuqishëm që imitojnë antenat dhe marrin gjithë thirrjet e celularëve të zonës, për t’ua çuar më pas antenave reale, që mund të jenë pak më tutje. Gjatë kalimit të informacionit, kompjuteri bën miliona llogaritje për të gjetur kodet e komunikimit mes një celulari dhe kompanisë së celularëve. Këto aparatura duhet të gjenden në afërsi të celularit që duhet përgjuar, gjë që limiton shumë dobishmërinë. Nga ana tjetër prodhojnë valë shumë të fuqishme që mund të dëmtojnë shëndetin e njeriut.
Programi
“FlexiSpy”, spiuni për të përgjuar bashkëshorten”
Ekziston një program i njohur si FlexiSpy. Në bazë të informacionit nga kompania, e cila e prodhoi këtë program, ai lejon përgjimin e bisedave telefonike në celular, regjistrimin e thirrjeve si edhe SMS-ve, mbajtjen e arkivit me të gjitha thirrjet, si edhe kohëzgjatjen e tyre. Të gjitha këto të dhëna mund të bien në dorë të personit të interesuar, nëpërmjet një lidhje online. FlexiSPY është reklamuar si program që “lejon përdoruesit e tij të shikojnë nëse i tradhton gruaja”. Në fakt, është shumë i shtrenjtë. Punon vetëm në aparatura celularësh, të cilat mbështeten në platformën S60 të “Nokia”-s. FlexiSPY nuk është i vetmi program, i cili lehtëson përgjimet.
30.07.2012
Burimi: Gazeta Shqip