Shqiptari në Itali nderohet nga Papa Francesku. Në prag të Ditës Botërore të Refugjatit, Papa Francesku dhe Selia e Shenjtë në Vatikan ka nderuar emigrantin shqiptar. Petrit Kozeli merr titullin ‘Komendator i Urdhërit të Shën Silvestrit të Papës’.
“Një palë këpucë në shenjë paqeje për një rrugëtim të përbashkët”.
Ky është frymëzimi i punës së përditshme të emigrantit shqiptar Petrit Kozeli në punishten e tij të thjeshtë prej këpucari në qytetin e Mantovas. Prej vitit 1991 ai jeton në këtë qytet së bashku me familjen e tij. Dikur me profesionin fotograf në Tiranë, sot Petriti është një këpucar profesionist, zanat të cilin e ushtron me shumë dinjitet e fantazi. Shqiptari Petrit Kozeli si shembulli më i mirë i një qytetari të ri italian. Një emigrant i integruar në jetën social-ekonomike dhe me një kontribut të vlefshëm në të, është vlerësuar më vitin 2014 nga Presidenti Italian Giorgio Napolitano me titullin Kavalier i Republikës Italiane. Një palë këpucë me ngjyrat e flamurit kombëtar italian me dedikimin “T’i veshim së bashku këto këpucë për një Itali më të mirë e më të begatë!” ishte dhurata që ai i bëri Presidentit të Republikës Italiane.
Shqiptari në Itali nderohet nga Papa Francesku…Ja pse…
“Nëse doni të dini se ç’është nënshtetësia italiane shkoni në punishten e Petrit Kozelit,”-ka thënë për të Kryetari i Bashkisë së Mantovës.
Këpucët e punuara nga ai janë simboli i rrugëtimit të përbashkët mes banorëve vendas dhe emigrantëve e qytetarëve të rinj italianë. Po një palë këpucë me flamurin shqiptar e shqiponjën dy krerëshe u punuan nga Petriti enkas për Papa Franceskun. Sot 4 vite më vonë nga ky vlerësim këpucari shqiptar ka marrë një tjetër titull të rëndësishëm. Me një dekretim special Selia e Shenjtë në Vatikan e Papa Francesku e ka vlerësuar me titullin Komendator i Urdhërit të Shën Silvestrit të Papës.
Është hera e parë në historinë e provincës së Mantovas që një qytetar i saj nderohet me një titull të tillë nga Vatikani dhe nga vetë Ati i Shenjtë. Mbi të gjitha këtë vlerësim e merr një emigrant shqiptar. Kozeli u prit në Ambasadën shqiptare në Romë nga ambasadorja Anila Bitri. Kjo e fundit e vlerësoi si shembullin më të mirë të një shqiptari emigrant në Itali duke e përgëzuar për vlerësim e larta si nga shteti italian ashtu dhe nga Vatikani.
Adenisa Neziraj
21.06.2018