Shqiptarët të fiksuar pas ndërtimit, i bëjnë lekët llaç e tulla
Shqiptarët
Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit.
Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90. Nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik.
Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme.
Treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare).
Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa.
Ndërtimi
Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë.
Ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.
Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto.
Dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet.
Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla. Një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Por që, në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë.
Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim.
Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin.
Përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).
Rajoni
Edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë.
Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë.
Teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel.
Një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.
Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme. Ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.
Fondet
Kanalizimi i fondeve të liraka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në PBB në Europë.
Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia.
Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së.
Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.
“Formimi i bruto kapitalit fiks (FBKF), përbëhet nga investimet e prodhuesve vendas. Dhe blerjet minus shitjet, të aseteve fikse gjatë një periudhe të caktuar.
Ajo gjithashtu përfshin shtesa të caktuara për vlerën e aseteve jo-prodhuese të realizuara nga aktiviteti prodhues apo njësitë institucionale.
Asetet fikse janë asete të prekshme apo të paprekshme të përdorura në prodhim për më shumë se një vit” (INSTAT).
20.11.2017