Dje pasdite një grup emigrantësh shqiptarë protestuan përpara Ambasadës së Shqipërise në Athinë, për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së toponimeve të vendlindjes në pasaportat e fëmijëve të tyre.
Mjaft të indinjuar për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, të cilët prej shumë kohësh janë izoluar në një situatë absurde, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi qëndruan jashtë ambasadës për rreth 1 orë, duke kërkuar “Mbrojtje të të drejtave të fëmijëve”, “Zgjidhje përfundimtare të çështjes se toponimeve” si dhe duke bërë thirrje “Shqipëri, mos braktis të ardhmen!”.
Sipas pjesëmarrësve në protestë, vendimi i fundit për lejimin e qarkullimit të fëmijëve të lindur në Greqi, vetëm për periudhën e Pashkëve, nuk përbën zgjidhje të problemit, përkundrazi, ringjall kujtimet e hidhura të viteve të para të emigrimit në vend, për më tepër që këtë herë padrejtesitë bëhen kundër shtresës me delikate, fëmijëve.
Të pranishëm në protestë, kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, Edmond Guri, përfaqesues të shoqatës “Studenti”, nga shoqata e ishullit te Salaminës, gazetarë të shtypit shqip në emigracion etj.
01.05.2013
Burimi: Balkanweb