Shpërblimi i fundvitit për pensionistët, shpërndarja nis para 30 dhjetorit
Shpërblimi për pensionistët
Qeveria ka parashikuar shpërblimin e pensionistëve me 3 mijë lekë të reja, me rastin e festave të fundvitit.
Ndryshe nga një vit më parë, Ministria e Financave ka filluar procedurat për dhënien e këtij shpërblimi.
E gjithë kjo, sipas këtij dikasteri, për të mos vonuar marrjen e lekëve nga ana e të moshuarve.
Bëhet me dije se, shpërblimi i pensionistëve do të jepet para datës 30 dhjetor.
Ministria e Financave ka miratuar fondin prej 1.8 miliardë lek për këto shpërblime.
Ndërkohë që, pritet që t’ja kalojë Institutit të Sigurimeve Shoqërore këtë fond.
ISSH do të nxjerrë listën e përfituesve, prej më shumë se 650 mijë pensionistësh.
Më pas do të jetë Posta Shqiptare, e cila do të bëjë shpërndarjen e lekëve tek pensionistët.
Pritet gjithashtu që të miratohet edhe një kalendar për shpërndarjen e lekëve, në mënyrë që të mos ketë radhë.
3 mijë lekë për çdo pensionist
Edhe në rastin kur janë dy pensionistë në një familje, do të përfitojnë të dy të njëjtën vlerë shpërblimi.
Në vitet e kaluara qeveria është treguar e rezervuar me pensionistët që vinin nga e njëjta familje, duke bërë pjesë të skemës përfituese, vetëm kryefamiljarët.
Ministria e Financave bën me dije se pjesë e skemës së shpërblimeve do të jenë edhe familjet me ndihmë ekonomike.
Vendimi i posaçëm për shpërblimet e fundvitit pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.
Për shpërblimet e pensionistëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike, duhet që Këshilli i Ministrave të miratojë vendimin, i cili i jep 18 milionë dollarë ISSH-së.
ISSH nga ana e saj nxjerr numrin e përfituesve dhe ia kalon kompetencën e shpërndarjes së shpërblimeve Postës Shqiptare, e cila bën edhe ndarjen e pensioneve.
Kategoritë që përfitojnë
Shpërblimin në radhët e pensionistëve do të përfitojnë të gjithë.
Duke filluar nga ata të moshuar që marrin pension në fshat e qytet dhe duke vijuar me ish-ushtarakët, pensionet e posaçme, pensionet familjare etj.
Pra, çdo person që ka një pension nga shteti, do të marrë shpërblim prej 3 mijë lekësh të reja.
12.12.2017