Shkrimtarin Odise Grillo, unë me një shokun tim të ngushtë të fëmijërisë dhe i rinisë e kishim mik.
Në një moment të caktuar, Odisesë fillova t’i rrija larg. Arsyeja ishte se një herë, tek po e mburrja, si zakonisht, për talentin dhe arritjet në letërsinë për fëmijë, xhaxhai i sime shoqeje, Mësuesi i Popullit, i ndjeri Kolë Koci, i cili kish qënë një jetë të tërë kryeinspektor në Ministrinë e Arësimit e të Kulturës, më tha se dikur Odiseja ishte përjashtuar nga të gjitha shkollat e Republikës për… vjedhje.
Dola kundër Odise Grillo, shkrimtarin dhe shokun tim të fëmijërisë.
Kola ishte njeri tepër serioz e fjalëpak, ndaj pohimin e tij e mora të mirëqënë.
Kur shoku i ngushtë që përmenda më lart erdhi një ditë nga Pogradeci në Tiranë, bashkë me të fejuarën, shprehu keqardhjen që kisha filluar t’i rrija kokëmënjanë mikut tonë të përbashkët.
U mundova t’i bëja dredha.
Nguli këmbë t’i thosha të vërtetën dhe pranova vetëm pasi m’u betua se do ta mbante për vete, pa i thënë asnjë fjalë kurrkujt e sidomos Odisesë.
Të nesërmen, Odiseja dhe shoku im i ngushtë me të fejuarën ishin ulur në lokalin “Vollga” (Drini).
Nuk e pata të vështirë të nuhatja që i “ishte zbrazur”.
Kur Odiseja shpejtoi të më shpjegonte se vjedhësi s’kish qënë ai, por kushëriri i parë i tij, fill pasi i kërkova ndjesë për pasaktësinë e rëndë.
I thashë se më i rrezikshëm nga ai që nxjerr prej goje diçka të pavërtetë, – këtë herë, madje, pa qëllim dhe aksidentalisht, – është ai që e shpërndan atë, që merr llafe këtej e i çon andej…
Qysh nga ajo ditë dhe deri sa ndërroi jetë, Odiseja mbajti me mua marrëdhënie thjesht protokollare.
Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe: bukë e thyer.
Po kaq i dhimbshëm është fakti që ftohja e Odisesë, ku haptaz e ku tërthorazi, gjeti pasqyrim edhe në qëndrimin ndaj meje të miqve e shokëve të shumtë të tij, në të gjitha sferat, në radhë të parë në atë të botimeve, sidomos kur u bë përgjegjës redaksie në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”…
Për lajm-shqip
20.01.2018