Në univers, veçanërisht në galaktikën tonë, ka një numër të madh sistemesh me shumë yje. Dy ose më shumë yje rrotullohen përreth njëri-tjetrit. Në shumë nga këto sisteme, yjet përplasen me njëri-tjetrin. Një dukuri që ka qenë e njohur për astronomët për një kohë të gjatë. Por shkencëtarët thonë se një përplasje që ka ndodhur pothuajse dy mijë vjet më parë, do të mund të shihet së shpejti me sy të lirë.
Shpërthimi ndodhi 1 mijë e 800 vjet vite drite larg, që do të thotë se ndriçimi që u përftua nga ajo përplasje yjesh, do të arrijë tek ne 1 mijë e 800 vjet më vonë.
Kjo do të ndodhë në vitin 2022, sipas përllogaritjeve të një grupi shkencëtarësh dhe studentësh në Kolegjin Calvin në shtetin e Miçiganit. Astronomi Larry Molnar, që kryesoi grupin parashikon se shkëlqimi i shpërthimit do të jetë një nga objektet më ndriçuese në qiellin e natës.
“Dy yjet janë aq pranë njëri-tjetrit saqë duket sikur prekin njëri-tjetrin”, thotë ai.
Profesor Molnar thotë se distanca mes yjeve është e barabartë me 1.5 e diametrit të tyre.
Atyre u duhen vetëm 11 orë që të shkojnë përreth njëri-tjetrit.
“Ato mund ta bëjnë këtë në mënyrë të qëndrueshme për miliona vjet. Por në rastin e këtij ylli, rezultoi se periudha orbitale po shkurtohej gjithnjë e më shumë. Ritmi po përshpejtohej. Ky ishte sinjali për ne”, tha profesor Molnar.
E thënë ndryshe, këta yje në plejadën Cygnus po afrohen më pranë njëri-tjetrit pas çdo rrotullimi. Si dy sfera të lidhura nga një shufër. Mbi 80 për qind e yjeve në galaktikën tonë bëjnë pjesë në sisteme shumëyjore, me dy ose më shumë yje.
Imagjinoni sikur të kishim edhe në sistemin tonë diellor dy ose më shumë diej. Astronomët thonë se jemi me fat që kemi një diell që na jep jetë dhe mundësinë të shijojmë mrekullitë që gëzojmë prej shkëlqimit të tij nga agimi e deri në perëndim çdo ditë.
08.01.2018