Në tre muaj punë në krye të Zyrës Qednrore të Regjistrimit të Pasurive, Blerina Doracaj, jo vetëm që nuk e ka ndryshuar situatën që Edi Rama e shpalli alarmante, por e ka rritur edhe më kaosin në hipotekat shqiptare.
Vetëm dy javë më parë, ajo u shkarkua dhe u rikthye sërish në detyrë. Ndërkohë, vendi i Kryeregjistrueses është në procedurë konkursi.
Si e komanduar, kandidatja e PS-së për deputete në qarkun Tiranë, gruaja e Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile u emërua në muajin shtator nga kryeministri për të vënë rregull dhe për të zhdukur korrupsionin. Sipas Ramës korrupsioni mbretëronte si pasojë e drejtimit të LSI-së.
Sapo hyri në zyrë zonja Doracaj premtoi se do të pastrojë emrin e keq të hipotekave.
Premtoi ta zëvendësojë me rregull, transparencë dhe ndershmëri.
Por në këtë periudhë, kur janë hequr të gjithë drejtorët e rretheve, por edhe shefat e lartë, zëvendësimi i tyre ka krijuar një situatë edhe më të amullt.
Qytetarët që shkojnë në dyert e hipotekave për të marrë edhe një dokument të thjeshtë, kthehen disa herë dhe sorollaten nga paftësia e njerëzve të sapoemëruar në zyrat e Regjistrimit.
Tre javë më parë, një nga të sapoemëruarit në hipoteka, i shkroi një mesazh kryeministrit Edi Rama. Ai i thoshte se Doracaj i merr vendimet në mënyrë krejt spontane dhe pa menduar. Ndërkohë i rikthehet dhe anullon atë që ka vendosur.
Menjëherë pas këtij mesazhi, Ministria e Drejtësisë publikoi një njoftim që posti i Kryeregjistrueses është vakant. Për të pritet të zhvillohet një konkurs kombëtar.
Por pas kësaj, Doracaj doli për mediat dhe tha se nuk ishte shkarkuar dhe vazhdonte punën. Ajo nuk mohoi që ishte “në ajër” deri në një afat të caktuar.
Duke qenë kjo situatë, në hipoteka mbretëron një situatë kaotike. Kjo detyroi Edi Ramën të çonte si përforcim Artan Lamen e ALUIZNI-it, si anëtar bordi për të kontrolluar Doracajn.
35 vjeçarja Blerina Doracaj ishte pjesë e listës së kandidatëve të PS së Tiranës. Ajo u rendit në vendin e 23 në listë. Doracaj është një militante e hershme e PS. Është aktivizuar me Forumin Rinor Eurosocialist që në moshën 17 vjeçare. Aktualisht është kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste. Më parë ka punuar si këshilltare e Milena Haritos në Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Civile. Doracaj është zgjedhur edhe këshilltare e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata
23.11.2017