Ministria e Drejtësisë u shpall luftë ish-drejtorëve të burgjeve. Rivjen në krye të burgut të Peqinit i përfshiri në skandalin e përdorimit të të dënuarave për të larë makinën e tij
Kohë më parë u tha se u përfshi në një skandal. Një urdhër i dalë nga ish-ministri Ylli Manjani e largoi nga radhët e burgjeve, por ditën e djeshme është rikthyer sërish. Përfshirja e tij në një akuzë që kishte të bënte me shpërdorimin e detyrës ndërkohë që bëhej fjalë për përdorim të të burgosurve për t`i shërbyer drejtorit krijoi një tërmet në sistemin penitencar, po Arjan Hasani kthehet triumfator sërish në atë detyrë. Tashmë në krye të burgut të Peqinit, atje ku u shënua një incident pak javë më parë. Hasani u bë pjesë e një ngjarjeje të publikuar me video në media një vit më parë ndërsa u tha se përdorte të burgosurit për të kryer punët personale, që nisnin nga larja e makinave. Ditën e djeshme, ministrja e re e Drejtësisë ka dalë para mediave dhe ka komunikuar emrat e personave që zëvendësuan drejtorët e shkarkuar të burgjeve të cilët kanë punuar keq dhe kanë abuzuar me detyrën.
Të komanduarit e djeshëm, komandim që me sa duket është thjesht një farsë për të eliminuar zhurmën e konkurrimit, meqë është pretenduar se do të ketë konkurs për vende të tilla, janë të përzgjedhurit e dikasterit të drejtësisë. Sistemi penitencar u trondit nga një shkarkim në masë i gardianëve pak javë më parë, ndërsa janë krijuar padi dhe kundërpadi të shumta. Bashkë me gardianët, janë edhe disa emra të tjerë, drejtues të policisë së Burgjeve të cilët janë vënë nën akuza. Do të jetë gjykata që do të vendos mbi fatin e tyre, pasi bëhet me dije se të shkarkuarit kanë bërë një sërë padish kundër drejtorisë së burgjeve dhe ministrisë së Drejtësisë. Nëse këto gjyqe fitohen nga ana e të shkarkuarve, atëherë pagat e tyre do të dalin nga taksat e qytetarëve shqiptarë, si në shumë raste ku shumat janë të majme.

Emërimet
Pak orë pas furtunës mbi krerët e burgjeve në vend, ka nisur edhe komandimi i drejtuesve të rinj, të cilët do të mbajnë këtë detyrë derisa të shpallen fituesit që do t’i nënshtrohen konkurrimit. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko ka prezantuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin drejtorin e ri të këtij institucioni, Arjan Hasani, ndërkohë që të gjithë ata që kanë marrë “timonin” e burgjeve janë pjesë e sistemit penitenciar, si shefa personeli në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, apo shefa policie në burgje, si Agron Hysi apo Surja Malasi.
Komandimi i tyre do të zgjasë derisa të përfundojë dorëzimi i dosjeve të kandidatëve, që do të garojnë për burgjet, te një komision i posaçëm që pritet të ngrihet. Shkarkimin e 8 drejtorëve e njoftoi të shtunën ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila tha se të gjithë ata do të kallëzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, ndërkohë që u tha se edhe dy ish-drejtues burgu rezultojnë me precedentë penalë. Do të jenë një sërë verifikimesh që do të sqarojnë pozicionet e të gjithë personave që do të vendosen në krye të drejtorive. Ose të paktën kështu thuhet në shkresën përcjellëse të Ministrisë së Drejtësisë!
Për Lajm-Shqip
Jera Gega