Të paktën 6 persona në ditë në Tiranë të cilët kanë humbur punën, i janë drejtues dyerve të gjykatës në pesë muajt e parë të vitit 2013. Shifrat alarmante konfirmohen zyrtarisht përmes padive për marrëdhënie pune të depozituara përgjatë 150 ditëve në Gjykatën e Tiranës. Bëhet fjalë për 829 padi të tilla, ku një pjesë e vogël janë përfunduar së shqyrtuari, ndërsa pjesa tjetër është ende në gjykim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i kërkesave për marrëdhënie pune është dyfishuar, pasi në 5-mujorin e parë të 2012-ës, numëroheshin jo më shumë se 350-400 të tilla.
Në brendinë e padive, të gjithë qytetarët që i janë drejtuar gjykatës pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna dhe kërkojnë të rikthehen në pozicionin që kanë mbajtur, ose në një pozicion tjetër ekuivalent. Në raste të tjera, kërkojnë pagën e 12 muajve dhe pagesave të tjera, për prishje të menjëhershme të kontratës. Duke iu referuar sitit zyrtar të gjykatës rezulton se gati 90 për qind e të paditurve janë institucione shtetërore dhe më i paktë numri i kompanive private.
DEMI NE BUXHET
Largimi në mënyrë të padrejtë i punonjësve të administratës publike, veç faktit që ul të ardhurat dhe rrezikon mirëqenien e familjeve të personave që e humbasin punën, krijon dhe një “gropë” të zezë në buxhetin e shtetit. Shumica prej të larguarve nga puna, kanë përfituar në shumë raste të drejtën për t’u rikthyer, e në raste të tjera të drejtën e dëmshpërblimit me pagën e një viti. Duke pasur parasysh numrin e lartë të padive për marrëdhënie pune, me shumë gjasë edhe fatura e dëmshpërblimeve do të jetë tejet e lartë, edhe pse për momentin nuk mund të bëhet një përllogaritje, për shkak të faktit se pjesa më e madhe e padive janë në shqyrtim. Sa u përket viteve të mëparshme, asnjëherë nuk është bërë publike fatura e dëmshpërblimeve të të larguarve padrejtësisht nga puna, e cila thuhet se është tejet e lartë. Nuk dihet nëse të gjithë personat që kanë fituar dëmshpërblim kanë mundur ta marrin apo jo atë.
09.06.2013
Burimi: Balkanweb