Sherr mes prokurores dhe eprorit, ja e vërteta e “zhdukjes” së dosjeve
Sherr mes prokurores dhe eprorit
Është një prokurore e re, e cila dy ditë më parë iu ka drejtuar policisë për një kallëzim të çuditshëm.
Ajo pretendon se ia kanë vjedhur dosjet në zyrën e saj. Ajo ka ndryshuar zyrë me urdhër të kryeprokurorit të rrethit, Dritan Ginës.
Lëvizja është lajmëruar rreth dy javë ma parë. Lëvizje brenda sektorëve të këtij dikasteri lokal, ku Prokurorja do të kalonte tek zyra e një kolegut të saj.
Në praktikat e transferimeve brenda Prokurorisë, zyrat dorëzohen me procesverbale të posaçme.
E për pasojë e njëjta praktike është ndjekur edhe në rastin e kësaj lëvizjeje që ka urdhëruar shefi i Prokurorisë.
Amanda Xhaferi është prokurorja, e cila mësohet se ka refuzuar dorëzimin e të gjitha dosjeve.
Edhe pse kolegu i saj, i cili do ta zëvendësonte në këtë detyrë, ia ka dorëzuar gjithë zyrën me të gjithë praktikat e përcaktuara në ligj, Xhaferi mësohet se ka refuzuar.
Sipas të dhënave, dosjet janë të çështjeve anti-korrupsion.
Kryeprokurori i rrethit ka kërkuar një komision dhe në bazë të këtij komisioni ai ka bërë të mundur edhe marrjen e dosjeve që prokurorja nuk ia ka dhënë.
Të dhënat vijnë nga burime konfidenciale, të cilat tregojnë me detaje gjithçka ka ndodhur mes kryeprokurorit dhe vartëses së tij, që në momentin që u urdhëruar lëvizja e saj.
Askush nuk di të tregojë saktë se cila ka qenë zanafilla e këtij konflikti, por nga ana e tij Gina pretendon se ka zbatuar ligjin pasi prokurorja ka refuzuar të kryejë dorëzimet e materialeve sipas rregullave që parashikohen rastet e tilla të transferimeve brenda institucionit.
Policia tashmë do të kryejë veprimet e duhura dhe më pas këtë çështje do ia kalojë sërish Prokurorisë për ta hetuar.
Gjë, që në fakt për shkak të moskompetencës do t`i kalojë një tjetër Prokurorie.
Për Lajm Shqip
Jera Gega