Më në fund Gjykata e Krimeve të Rënda merr vendim për dy ish-zyrtarë të policisë së Vlorës.
Kjo masë vjen pas kërkesës së prokurorisë që i dyshon ata për trafik droge, kultivim kanabisi dhe shpërdorim detyre. Për ish-drejtorin e Vlorës Jaeld Çela dhe ish-shefin kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila, gjykata aprovoi masën e arrestit në mungesë. Por pak ditë më parë është shpallur i njëjti vendim edhe për ish-shefin e postës kufitare Dhërmi, Sokol Bode.
Prej shtatë ditësh të tre ish-zyrtarët e lartë të policisë janë në kërkim.
Por ata nuk janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Urdhri i ndalimit për ta u firmos nga grupi i prokurorëve që po hetojnë dosjen. Mos arrestimi i tre ish-shefave hodhi dyshimet se operacioni për kapjen e tyre ishte dekonspiruar, një dyshim ku që ende nuk ka një përgjigje. Asnjë instancë nuk bëri me dije se përse nuk u finalizua me sukses prangosja e ish-shefave të policisë. Siç mësohet ka dyshime se Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode kanë favorizuar grupet kriminale për të kultivuar kanabis gjatë viteve 2015-2016 në fshatrat e Vlorës. Këto janë faktet që kanë dalë nga përgjimet dhe vëzhgimet e italianëve, të cilët kanë përgjuar për 4 vite rresht Moisi Habilajn dhe grupin e tij.
Në dosjen hetimore, këta persona përshkruhen si funksionarë që kanë për detyrë të luftojnë krimin po ata e mbronin atë. Shefat e policisë, sipas prokurorisë së Katanias komunikonin në telefon me personazhe problematikë me ligjin. Një i tillë ishte shtetasi Florian Habilaj. Pas dhënies së këtij vendimi, pritet që autoritetet të shpallin në kërkim ndërkombëtar të tre ish zyrtarët. Përveç vendosjes nën verifikim të dosjes italiane tashmë të përkthyer, hetimet po vazhdojnë edhe për Saimir Tahirin. Kur ka kaluar më shumë se një muaj për këtë dosje dhe pas një fluksi veprimesh hetimore parashikohet që së shpejti akuza të rishikojë qëndrimin e saj.
Për Lajm-Shqip
30.11.2017