New York, 23 dhjetor – Regjisori i mirënjohur, Martin Scorsese, për rrjetin televiziv amerikan HBO do të xhirojë një dokumentar në lidhje me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.
Sipas njoftimit nga HBO, Scorsese është regjisor dhe producent i filmit ndërsa atë po e ndihmon edhe vetë presidenti Clinton. Ky rrjeti televiziv nuk ka zbuluar datën se kur do të shfaqet dokumentari rreth presidentit të 42-të amerikan, i cili ishte në detyrë nga viti 1993 deri në vitin 2001.
Më herët gjatë këtij viti, HBO ka transmetuar një dokumentar në lidhje me pasuesin e Clintonit, George W. Bush apo siç njihet në publik George Bushi i ri.
Regjisori 70-vjeçar edhe më parë ka bërë dokumentarë për HBO – “Public Speaking” dhe “George Harrison: Living in the Material World”.
Scorsese aktualisht është producent i filmit “The Wolf of Wall Street” ku do të shfaqet në rolin kryesor Leonardo DiCaprio dhe njëkohësisht është producent ekzekutiv i serisë së HBO, “Boardwalk Empire”.
Mbetet të shihet nëse në këtë dokumentar do t’i jepet më shumë hapësirë aferës seksuale të presidentit 66-vjeçar apo jetës dhe veprës së tij, sidomos periudhës që ka të bëjë me Kosovën.
23.12.2012
Burimi: Koha.Net
Scorsese bën një dokumentar për jetën...