Më 1 nëntor 2018, policia e Elbasanit ndaloi një automjet ku u gjendën mbi 860 mijë euro, por edhe dy patentat e mjeteve lundruese me kapacitet të ndryshëm. Të dyja patentat ishin në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të ngjashme mund të lexoni:
Nga ky moment, Saimir Tahiri ka shmangur çdo komunikim mediatik, duke mos preferuar të bëjë asnjë deklaratë.
Edhe pse ka një detyrim moral ndaj çdokujt që besoi dhe i dha mbështetjen gjatë hetimit për lidhje me grupin e Habilajve, për të sqaruar situatën e re në të cilën ndodhet.
Reagimi i vetëm i ish-ministrit të Brendshëm prej 1 jave është heshtja. Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur lidhjen mes shumës së parave të bllokuara dhe patentave në emër të Tahirit.
Nëse do të bëhet një krahasim mes situatës së krijuar pas publikimit të përgjimeve të antimafias italiane dhe gjetjes së patentave të Tahirit në automjetin ku u gjetën 860 mijë euro ka një dallim shumë të madh. Në rastin e parë, Tahiri u shfaq pothuajse në të gjitha mediat, përmes deklaratave apo emisioneve. Në rastin e dytë ai po hesht, nuk ka dhënë asnjë sqarim dhe ndoshta është në pritje të hapit që do të hedhë organi i akuzës.
Fillimisht u tha se patentat ishin harruar në automjetin ku u gjetën nga shoferi i Tahirit, i cili kishte miqësi me 25 vjeçarin Orest Sota.
Sota ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa shuma e parave është konfiskuar deri në sqarimin e burimit të saj.
Por duket se deklaratat e bëra se patentat ishin harruar nuk kanë bindur prokurorët e krimeve të rënda. Ata po hetojnë çështjen në fjalë dhe pritet të marrin dëshmitë përkatëse. Gjithsesi ngjarja në fjalë, pavarësisht përfundimit të hetimit, duket se ka vendosur në një pozitë të vështirë jo vetëm Tahirin, por pothuajse të gjithë socialistët.
Duket se deputetët e PS-së kanë marrë një vendim për të shmangur komentet mbi ngjarjen në fjalë. Ata janë të gatshëm të komentojnë mbi çdo çështje tjetër vetëm për këtë jo. Kryeministri Edi Rama po mundohet të tërheqë vëmendjen mediatike, duke deklaruar vendosjen e matësve në puset e ujit apo përmes veshjes së tij.
PS u mundua të kthente në qendër të vëmendjes një kryebashkiak të PD-së, duke kërkuar ndërprerjen e mandatit të tij në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Ndërkohë që Krimet e Rënda po hetojnë një nga personat më të afërt të kryeministrit Rama gjatë mandatit të parë qeverisës së tij, Sajmir Tahirin.
Në kushte të tilla duket se deputetët e PS-së kanë marrë një vendim politik për të mos bërë komente apo për të mos folur mbi çështjen Tahiri. Këtu edhe gjetjen e patentave të tij, në të njëjtin automjet ku u gjetën 860 mijë euro.
Burimi: Syri