Thyhet heshtja e lëvizjes së makinave nga rruga e vjetër e Qafëkrrabës.
Gjelat e detit, tufa-tufa në rrugë, duket sikur ‘ftojnë’ shoferët të mos kalojnë nga autostrada e Qafëkrrabës.
Me dhjetra mjete e blerës preferojnë tatëpjetat e rrugës së vjetër, për shkak të Vitit të Ri. Zona e Gracenit me fshatrat Pretesh, Pajengë e Gracen, shquhen për rritjen e gjelit të detit që në embrion, me vezë. Plus ushqimi bio e ullinjtë, bëjnë që ky shpend aq i kërkuar në treg, të jetë i një cilësie të pakrahasueshme. Përpos këtyre, mbetet dhe klima e pastër malore e kullotat natyrale ato që i japin mishit të këtij shpendi, cilësi të rrallë. Sa për cmimin?! Është pak i kripur.
Tetë deri në nëntë mijë lekë të vjetra për kilogram. Sidoqoftë, blerësit nuk janë tunduar nga vlera e madhe. Çmimi mesatar për gjelat e Qafëkrrabës ka varijuar nga 60 mijë lekë të vjetra, në 90 mijë lekë. Kampioni i gjelit të detit për këtë zonë ka qenë ai i fshatit Tërbaç, me 15 kilogram e që e ka marrë një biznesmen nga Tirana. Zakonisht frekuentues të shpendit të kësaj zone mbeten elbasanasit e tiranasit.
Për Lajm-Shqip
Alfrida Danushi