Rritet me 44 për qind çmimi i ujit
Janë miratuar tarifat e reja për Bashkinë e Tiranës, sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët është rritur me 44 për qind.
Sipas Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë, familjarët që jetojnë në kryeqytet do të paguajnë 65 lekë/m3.
Ndërsa, institucionet publike do të paguajnë 140 lekë/m3 dhe ato privatë 155 lekë/m3. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi në datën 1 janar të vitit 2018.
Në lidhje me këtë, Ujësjellës Kanalizime Tiranë aplikoi pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të çmimit të ujit.
UKT ka argumentuar këtë me paratë që do t’i duheshin për të zbatuar një plan ambicioz investimesh.
Në korrik kjo kërkesë kaloi edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili miratoi rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3.
Duke e çuar kështu nga 45 lekë në 65 lekë/m3 për familjet dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.
Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës bëhet për të kryer investime në rrjet.
Investime, të cilat, në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit.
UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur regjistroi një fitim 5 milionë euro.
14.11.2017
Burimi: Tiranatoday.com