Nëse bëni aksident me pasojë dëme në shëndet, atëhere dëmshpërblimi që do të mund të merrni nga kompanitë e sigurimit tashmë do të jetë gati 40% më i lartë sesa më parë.
Konkretisht, vlera që përfitohet si dëmshpërblim për dëmet shëndetësore (pasurore) është 38 për qind më e lartë nga data 1 korrik 2018. Kjo i atribuohet ndryshimeve më të fundit të bëra në mars të këtij viti nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Kjo përshkruhet në rregulloren nr. 53, “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Këto ndryshime të hyra në fuqi vetëm 10 ditë më parë kanë si qëllim kryesor mbrojtjen e interesit të konsumatorëve. Së dyti kanë qëllim dhe rritjen e masës së dëmshpërblimit për të dëmtuarit.
Rregullorja e re për aksidentet rrugore, ja si do dëmshpërbleheni nëse …

“Ndryshimet e miratuara hynë në fuqi më 1 korrik 2018. Do të zbatohen në të gjitha rastet e llogaritjes së dëmeve shëndetësore që mbulohen nga kontratat e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit. Këto ndryshime lidhen me përcaktimin e tabelës së përditësuar për koeficientet e llogaritjes së shumës së kapitalizuar. Koeficientet e rinj janë të ndarë sipas gjinive dhe bazohen në dy elementë. E para sipas jetëgjatësisë mesatare të ardhshme të individëve. Kjo e llogaritur në bazë të tabelave të mortalitetit dhe normën e interesit të përdorur për kapitalizimin” sqaron AMF.
Kjo do të thotë që sa më e lartë të jetë jetëgjatësia mesatare e individëve, aq më i lartë është koeficienti i shumës së kapitalizuar. Ndërsa sa më e lartë të jetë norma e interesit të marrë në konsideratë aq më i ulët është koeficienti i shumës së kapitalizuar.
Për Lajm-shqip
Jorida Fataj