Revista jonë Haemus, botohet rregullisht në Bukuresht prej vitit 1998, një herë në tre muaj, me 200 faqe. Kjo revistë qenë gjithmonë mbështetëse e kauzës kosovare dhe popullit shqiptar.
Revista Haemus qëndron në krah të kauzës kosovare duke nxjerrë në pah vlerat tona kombëtare.
Nga ana tjetër edhe Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, me shtëpinë e vetë botuese Librarium Haemus, zhvillojnë pa zhurmë e pa bujë një veprimtari të dendur e të pandërprerë. Kjo, duke botuar dhjetëra libra origjinalë letraro-artistikë dhe shkencorë, si dhe përkthime (në shqip e në rumanisht). Organizojnë konferenca e simpoziume shkencore dhe aksione propagandistike. Nxjerrin në pah arritje konkrete në popullarizimin e vlerave tona kombëtare dhe në fuqizimin e lidhjeve tradicionale shqiptaro-rumune.

Në këtë kontekst, përfshihet puna intensive dhe e diferencuar që bëjmë me të huajt. Kjo, që ta njohin në dritë të vërtetë historinë tonë kombëtare. Në mënyrë të veçantë, për informimin e saktë dhe me argumente shkencore të lexuesve për historinë e Kosovës. Revista Haemus i ka kushtuar autoktonisë dhe vazhdimësisë shqiptare atje që në lashtësi, dy numura të plotë (katërqind faqe). Si rrjedhojë, mjaft rumunë të kudo ndodhur, të të gjitha shtresave, niveleve dhe profesioneve, nga të lëkundur dikur, janë shndërruar në simpatizues e përkrahës të kauzës kosovare.
Revista Haemus ka patur një ndikim pozitiv në shpërndarjen e historisë dhe vlerave tona kombëtare në popullin rumun. Kjo gjë e bën më të pëlqyer dhe më të dashur këtë revistë, jo vetëm për popullin rumun, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Rumani.
Për Lajm-Shqip
Kopi Kyçyku