Sa herë shoh kryeministrin Edi Rama dhe mikun e tij të dikurshëm, Koço Kokëdhima, më rikthehen kujtimet në retrospektivë. Këtë herë, për një kohë tjetër, unë gazetari, po shkruaj disa rreshta.
Fjala është kur Kryeministri atëherë tentonte të futej në kupolën e selisë rozë. Ai nuk ishte i preferuari i kupolës dhe lidershipit të atëhershëm politik të Partisë Socialiste. Mbuloja atëherë gazetën më të madhe në vend, “Shekulli”. Pronari patjetër ishte Koço.
Bëhet fjalë për kohën e paqartë të dy miqve të dikurshëm, Koço Kokëdhima dhe Edi Rama. Mes tyre, në retrospektivë, unë isha gazetari.
Edi Rama zbriti në qytetin e Fierit. Socialistët do mblidheshin në sallën e teatrit “Bylis”. Dukshëm vihej re që organizatorët i kishin marë porositë mirë nga Qendra! – “Rama të mos pritej”! “Rama të refuzohej” !
Dhe ashtu ndodhi. Në ambjentet jashtë sallës, pranë teatrit, të ulur në një tavolinë, Edi Rama dhe unë. Ishim vetëm ne të dy. Qëndronim ashtu në heshtje dhe tek tuk shkëmbenim ndonjë fjalë, sa për t’u ndodhur në bisedë. Socialistë të shumtë kalonin aty pranë. Vështronin me cep të syrit Edi Ramën dhe vazhdonin ecjen.
Kalon një djalë i ri krah nesh. Rama më pyet: – Po ky, cili është? Nuk di pse i tërhoqi vëmendjen ai djalë Edi Ramës.
Unë i them: – “Është Ervin Koçi, kreu i forumit eurosocialist”. Tundi kokën dhe nuk bëri koment. Ervini, mospërfillësi i atëhershëm ndaj Ramës. Më vonë, në kohë tjetër të Ramës dhe atij vetë, do të bëhej dy herë deputet. Dhe sot në një detyrë me peshë.
Po le t’i kthehemi tavolinës ku ne ishim ulur.

Unë qëndroja më shumë me telefonin në vesh. Përtej telefonit ishte Koço Kokëdhima. Ai, nëpërmjet meje, donte të dinte çdo detaj të situatës.
Meraku i Koços nuk ishte kronika ime, por pritja për Edi Ramën. Interesimi i tij ishte që Rama të mos dështonte në këtë takim! Takimi i Ramës po atë ditë vijoi në Ballsh, për t’u rikthyer më vonë në një studio televizive. U zhvillua një bisedë me disa gazetarë. I butë, i ëmbël, i qetë, Rama, atëherë me gazetarët në studio! Kohët rrodhën ashtu si dhe karriera e Edi Ramës u ngrit në maja. E nisa historinë të shkurtër dhe përmenda njësoj, Koçon dhe Ramën për të thënë njëherazi.
Sa kanë ndryshuar ata të dy?! Një miqësi e paqtë, e lidhur me interesa, thonë se nuk kanë jetëgjatësi!. Rama dhe Koço kanë ndryshuar llogoret. Cili është në anën e drejtë?! Unë them askush! As Rama, as Kokëdhima!…
Për Lajm-Shqip
Vladimir Muçaj
Të ngjashme mund të lexoni: