SELVITË E RRALLA TË SHËN KOLLIT
Në “perandorinë” e drurit të rrallë në zhdukje. Nëse thonë që e ka shtatin si selvi, që ta mësosh 100% kuptimin, shko në kishën e shën Kollit, në Daullas të Libofshës. Shiko me sytë e tu qindra selvi, të vendosura bashkë me kishën në një kodër. Në majën më të lartë të fshatit. Janë kaq të hijshme, sa ia hedhin edhe të bukurës së dheut! Me lartësi deri në 30 metër. Diametër deri në 70 cm, ku të reja, e ku të vjetra, ato qëndrojnë gjithë nur, hijerënda, të drejta si vizore, sa nuk u afrohesh dot nga zilia.
Reportazh/ Në “perandorinë” e drurit të rrallë në zhdukje…
Janë vendosur përqark kishës së shën Kollit, të cilën e kanë vënë në mes dhe e ruajnë me fanatizëm. Ndër dekada, selvitë janë shumuar, duke e zgjeruar sipërfaqen e tyre. Sot ato zënë gati 2.9 ha. Janë të vetmit drurë në këtë kishë. Nuk gjen llojë tjetër. Të vendosura ashtu, rreth e qark kishës. Të japin përshtypjen sikur heqin një valle të gjatë pa fund, sa vetë jeta e banorëve të këtij fshati. Aty, në majë të kodrës, ato joshin. Joshin çdo kalimtarë që sapo hyn në Libofshë.
Banorët tregojnë se historia e këtyre selvive përrallore, nis me historinë e kishës. Në vitin 1777. Pra selvi 241 vjeçare. Të tjerë thonë, midis tyre edhe prifti i kësaj kishe, Arqile Doko, se selvitë janë në këtë vend shumë herët, rreth 500 vite më parë. Për t’i dhënë përgjigje historisë jo të zakontë të selvive të mrekullueshme të shën Kollit, morëm rrugën me kënaqësinë e zotit, drejt tyre së bashku me inxhinierët pyjorë: Genci Pina, Fredi Merkaj dhe Agim Hoxha. Inxhinierët vunë re lehtësisht se disa prej selvive ishin qindra vjeçare. Por na i rezervuan detajet, për një moment tjetër këtu. Selvitë e shën Kollit, sipas inxhinierëve pyjorë, janë drurë shumë të rrallë në ditët e sotme.
Kohërat e kanë çuar drejt zhdukjes këtë dru te florës shqiptare. Një këmbanë alarmi duhet të bjerë! Selvitë e shën Kollit, janë pasuri e rrallë. Duhen mbrojtur! Selvija rrallë ndeshet sot, rrallë edhe në kishat e tjera të Libofshës. Por këtu në Daullas, në kishën e shën Kollit, selvija ka ndërtuar “perandorinë” e vetë të dendur. Duke i qëndruar për shtat bukurisë së jashtëzakonshme të kishës së shën Kollit. Monument kulture, kishë myzeqare e mbuluar me histori mrekullibërëse dhe njerëzore. Silvitë qëndrojnë aty me trupin drejt si për të thënë: “Jemi dhe ne bashkëudhëtarë të kohës dhe historisë. Kujdesuni dhe për ne”!.. Përgatitën minireportazhin Vladimir Muçaj, Adriana Mile.
Vladimir Muçaj
20.07.2018