Reagon Spiropali: Do padis Partinë Demokratike për shpifje…
Pas akuzave të Partisë Demokratike se familja e saj ka përfituar një skemë korruptive, Ministrja e Marrëdhënies me Parlamentin i hedh poshtë nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.
Ajo thotë se: “Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre.”
Spiropali ka bërë me dije se do të padisë PD-në dhe paratë për dëmin do të shkojnë për rikonstruksionin e një kopshti në Kolonjë.
Postimi i plotë:
“E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza të Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin!
Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me bojë. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre.
Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës”, shkruan Spiropali.
Erjona Keta
19.02.2019