Një raport i Departamentit të Shtetit citon investitorët e huaj, sipas të cilëve Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes. Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin. Këtë veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.
Raporti i DASH: Shqipëria ka probleme me korrupsionin, vështirë për të investuar në …
“Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguar. Investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike. Shprehen se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes,” thuhet në raport.
Investitorët, – thotë raporti, – ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit.
Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët. Gjithashtu shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim, thuhet në raport.

Raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme, thuhet në raport.
Duke trajtuar çështjen e PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë. Kjo duke përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
Raporti i DASH: Shqipëria ka probleme me korrupsionin, vështirë për të investuar në …
Sipas raportit të DASH, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësim. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017.
Në Shqipëri është e vështirë të marrësh një titull të qartë pronësie.
Njerëz të paskrupullt, thuhet në raport, manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të marrë titullin e pronësisë për toka që nuk janë të tyret. Ndërkohë, agjencia e ngarkuar me prishjen e ndërtesave të ngritura në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International për vitin 2017 e rendiste Shqipërinë në vendin e 91 nga 180 vende. Kjo një rënie prej tetë vendesh nga një vit më parë. Si e tillë, Shqipëria tani perceptohet si vendi i dytë më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria vazhdon të paraqitet dobët në fushën e zbatimit të kontratave. Gjithashtu të regjistrimit të pronës dhe përftimit të energjisë elektrike.
Sistemi ligjor shqiptar presupozon që të mos ketë diskriminim ndaj investitorëve të huaj. Traktati i Investimeve Dypalëshe me SHBA, garanton që investitorët e SHBA të kenë trajtimin e vendit më të favorizuar, thuhet në raport.
Sipas raportit, energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudhat, minierat dhe teknologjia e informacionit përfaqësojnë perspektivën më të mirë për investimet e huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme.
Për Lajm-shqip
Jorida Fataj