TIRANË– Kreu i PS-së, Edi Rama, duke përsëritur gatishmërinë e forcës që drejton për kufizimin e imunitetit ka ritheksuar se ai duhet të bëhet përmes ndryshimeve serioze të Kushtetutës që duhet të prekin edhe reformën në sistemin e drejtësisë.
“Qeveria nuk duhet të bllokojë procesin e vizionit tonë për reformën dhe s’duhet të përdorë imunitetin si gjethe fiku për të mbuluar degradimin e drejtësisë dhe tundimin e saj gjithnjë e më të madh për të arritur te pika që të përmbysë dhe ato institucione që i kanë mbetur jashtë kontrollit, duke e kthyer prokurorinë e përgjithshme në kopje të KQZ së tanishme”- tha Rama gjatë një deklarate për mediat.
Sipas Ramës, palët duhet të bien dakord për domosdoshmërinë e ndryshimeve serioze kushtetuese dhe jo për arnimin që propozon maxhoranca. “Me ndryshimet që ne propozojmë, duam t’i japin vendin shansin e rrezikuar deri tani për statusin. Nëse ne, opozita dhe qeveria gjejmë konsensus për këtë paketë ndryshimesh kushtetuese që krijon garanci rrezatuese në sytë e kujtdo, jam i bindur se i japin vendit shans të plotë për ta marrë statusin, duke u thënë BE se vullneti ynë për të shkuar para miratohet në ndryshime esenciale dhe hapa të qenësishëm dhe jo një arnë këtu e një atje”- tha ai.
21.07.2012
Burimi: Gazeta Panorama