Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u ka hequr mandatin deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica. Për ta erdhi material nga Interpol Roma se janë raportuar në policinë italiane për dy vepra penale. Ata nuk e kishin deklaruar asanjërën prej tyre më parë.
Si Rakipi ashtu edhe Rehovica janë akuzuar të dy për vjedhje.
Për deputetin e PDIU-së, Rakipi, Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Kurse për deputetin e LSI-së, Gledion Rehovica, Interpol Roma thekson se është i raportuar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999. Kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.
Dy deputetët nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e sotme, ndërsa avokatët mbrojtës i kanë cilësuar si qesharake dhe të pabaza akuzat duke kërkuar rrëzimin e tyre. KQZ ka votuar me 5 vota për të hequr mandatin.
Anëtari i shtatë, Hysen Osmanaj, i cili është propozuar nga PD, mungoi në mbledhje.
Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese që duhet të shqyrtojë çështjen si shkallë e fundit.
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata
05.01.2018