Qeveria dhe organet ligjzbatuese vazhdojnë për 24 vjet të kalojnë në heshtje, pa e zbardhur dhe ndëshkuar Masakrën e Peshkëpisë.
Ngjarja tragjike ku mbetën të vrarë ushtarakët Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, ndodhi në repartin e rekrutëve në 10.04.1994.
Një komando greke kaloi kufirin në Qafë të Pëshkëpisë në Dropull dhe masakroi ushtarët e qendrës së rekrutimit.
Në një prononcim për mediat, juristi Petrit Gaçi tha sot se kjo harresë nuk është thjesht harresë. Prokuroria shqiptare dhe organe ligjazbatuese kanë prova të mjaftueshme për të vendosur drejtësinë.
“Qeveria dhe Prokuroria kanë prova dhe të drejtë të kërkojnë ekstradimin e vrasësve sipas marreveshjeve dypalëshe. Nëse qeveria krijon mundësi për zbulimin e eshtrave të ish-ushtarëve grekë, pse të mos kërkojë këtë të drejtë të ligjshme. Nuk është normale që vrasësit e dy ushtarakëve të jenë të lirë në Greqi”, nënvizoi juristi.
Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile Ilir Iljazi, tha se ka ardhur momenti që drejtësia shqiptare të reagojë.
Ai i është drejtuar direkt Kryeprokurores së Përgjithshme Arta Marku. “Jepini fund zonja Kryeprokurore e Përgjithëshme kësaj padrejtësie dhe nënshtrimi 24 vjeçar. Vendosni drejtësinë dhe kërkoni ekstradimin e 7 banditëve që kryen një tragjedi në territorin shqiptar”.
Maskra e Peshkepisë ishte një nga ngjarjet më tragjike dhe më të shëmtuara organizuar nga terroristët antishqiptare grekë të MAVI-t.
Shtatë persona të armatosur hynë natën në brendësi të territorit shqiptar dhe sulmuan efektivin e rekrutëve në Pëshkëpisë.
Si pasojë e sulmit të befasishëm, të veshur me uniforma ushtare ata vranë fillimisht dy ushtarakët e shërbimit. Në vazhdim ata izoluan dhe terrorizuan rreth 120 ushtare-rekrutë të paarmatosur.
Përgjegjësia e masakrës është marrë përsipër 24 orë pas sulmit nga organizata antishqiptare e vetëquajtur “Çlirimtarët e Vorioepirit”.
Komandoja terroriste e vetëemëruar “Pirro i Parë”, pas sulmit është larguar andej nga erdhi, në brendësi të territorit të Greqisë.
Qeveria kalon në heshtje Masakrën e Peshkëpisë.
Ngjarja tragjike e Peshkëpisë dëshmon se të gjitha qeveritë shqiptare kanë treguar papërgjegjësi për zbardhjen dhe ndëshkimin e kriminelëve.
Krimi për palën shqiptare vazhdon të mbetet pa autorë, pavarësisht se emrat e kriminelëve janë bërë publikë menjëherë pas masakrës.
Më 12 korrik 1995, prokuroria e Athinës greke krejt papritur pushoi të gjitha akuzat ndaj pjestarëve të organizatës terroriste “MAVI”.
Vrasësit e dy ushtarakëve u dënuan vetëm për armëmbajtjen pa leje. Qesharake dhe ironike ishte alibia e të shtatëve pjesëtarve të komandos terroriste.
Më 21 mars 1996, saktësisht një vit nga vendimit me arrest burgu të dhënë nga gjykata e Janinës të shtatë të arrestuarit u lanë të lirë.
Gjykata e Athinës i liroi për mungesë provash, ndërkohë që akti i tyre terrorist nga një pjesë e medias u cilësua heroik. Kriminelët u trajtuan si heronj që kishin luftuar për aneksimin e Epirit të Veriut nga Shqipëria.

Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani